Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, nuk e përjashton mundësinë që të jetë kandidat për kryetar bashkie në Lezhë, në zgjedhjet e ardhshme vendore.
I ftuar në emisionin “Puls”, me Bruna Çifligun në A2CNN, Gjoni tha se drejtimi i Bashkisë së Lezhës nuk është ambicie e tij, por theksoi se është i gatshëm të sakrifikojë mandatin nëse këtë ia kërkojnë demokratët e Lezhës. Sipas Gjonit një sacrificë të tillë duhet ta bëjnë edhe deputetë të tjerë demokratë.
“Është e vërtetë që një pjesë e deputetëve të PD…Sepse PD kërkon të fitojë në këto zgjedhje dhe duhet të mobilizosh pjesën më të mirë të PD, e cila duhet të sakrifikojë në raport me qytetarët dhe demokratët, sepse demokratët kanë 14 vjet që sakrifikojnë për PD-në. Një pjesë e deputetëve duhet ta sakrifikojnë mandatin. A është në ambiciet e mia Lezha? Jo të them të drejtën, sepse politikisht sapo kam hyrë në politikëbërje. Por a duhet të sakrifikojë? Patjetër që duhet ta bëj. Nëse e kërkojnë demokratët e Lezhës nuk e përjashtoj, sepse demokratët më dhanë mandatin, dhe unë s’kam ardhur nga listat e mbyllura, por nga votat e Lezhës dhe Mirditës. Në momentin që do kërkohet do marr vendimet dhe qëndrimet e mia në favor me demokratët”.
Deputeti komentoi gjithashtu edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, PD po diskuton për të gjetur një emërues të përbashkët, që të përfaqësojë jo vetëm spektrin politik opozitar, por edhe studentët, qytetarët dhe elektoratin gri.
“PD i ka dhënë të dy opsionet. Ka diskutime për të gjetur një emërues të përbashkët, për një figure që jo vetëm të jetë sa më përfaqësuese, por të ketë gjithë spektrin politik opozitar, edhe përtej kësaj, edhe studentët, edhe qytetarët e thjeshtë të Tiranës, edhe elektoratin gri. Alimehemeti? Mund të jetë një nga personat”.










