Vendosni fjalën kyçe....

Skënder Hita takon shefin e Akademisë së Policisë Italiane, synohet marrëveshje



Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali, ku është takuar me drejtuesin e Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola.

Gjatë takimit, Hita vlerësoi bashkëpunimin mes institucioneve policore të dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe rritjes së profesionalizmit të punonjësve të policisë.

Ai u shpreh se ndërtimi i një policie moderne dhe profesionale mbështetet te përgatitja cilësore, integriteti dhe aftësitë e punonjësve, ndërsa shërbimi ndaj qytetarëve mbetet një nga prioritetet kryesore.

“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia. Synimi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin me institucionet tuaja arsimore përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, trajnimeve të specializuara”, deklaroi Hita.