Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet, një nismë që synon të rrisë mbështetjen financiare për sportin, artin dhe kulturën në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili e ka cilësuar këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një modeli të ri financimi për këto fusha.
Përmes këtij mekanizmi synohet të sigurohen deri në 2 miliardë lekë në vit për mbështetjen e sportit, artit dhe kulturës, si financim shtesë përtej buxhetit të shtetit.
Reforma synon të forcojë bashkëpunimin mes shtetit dhe biznesit, duke nxitur investimet private dhe duke krijuar më shumë mundësi për sportistët, artistët dhe të rinjtë me talent. Përmes këtij projektligji synohet të krijohen burime të reja financimi dhe më shumë mbështetje për zhvillimin e sportit, artit dhe kulturës në vend.










