Vendet nordike; Norvegjia, Suedia, Danimarka, Finlanda dhe Islanda, do të punojnë për krijimin e një marrëveshjeje të përbashkët mbrojtëse, me qëllim forcimin e kapacitetit të përgjithshëm të NATO-s për të penguar kërcënimet dhe për të mbrojtur territorin, deklaroi të enjten ministri norvegjez i Mbrojtjes, Tore Sandvik. Të gjitha këto shtete janë anëtare të NATO-s, pasi Finlanda dhe Suedia iu bashkuan aleancës ushtarake përkatësisht në vitet 2023 dhe 2024, dhe që nga ajo kohë kanë punuar për të përmirësuar bashkëpunimin e tyre, për shembull përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe atyre për gatishmërinë civile. "Kemi përparuar ndjeshëm brenda kornizës së NATO-s. Ne stërvitemi dhe trajnohemi së bashku më shumë se kurrë. Tani duam ta çojmë bashkëpunimin një hap më tej dhe t'i integrojmë forcat e armatosura nordike edhe më ngushtë", tha Sandvik në një deklaratë. Një sfidë specifike, e theksuar nga udhëheqja ushtarake e këtyre vendeve, është nevoja për të harmonizuar ligjet dhe rregulloret, veçanërisht në lidhje me lëvizjen e personelit ushtarak dhe të pajisjeve përtej kufijve. "Shohim se ka mundësi për të hequr pengesat praktike dhe për të përshtatur ligjet e rregulloret, në mënyrë që të mundësohet një veprimtari edhe më e rrjedhshme përtej kufijve kombëtarë," u shpreh Sandvik. Ky hap është shembulli më i fundit se si vendet nordike po rrisin gatishmërinë e tyre mbrojtëse, të nxitura nga pushtimi rus në shkallë të gjerë i Ukrainës, si dhe nga pasiguria lidhur me rolin e Shteteve të Bashkuara si garantuesi kryesor i sigurisë për NATO-n. Të gjitha këto vende i kanë rritur ndjeshëm buxhetet e tyre të mbrojtjes dhe tani renditen ndër vendet që shpenzojnë më shumë për mbrojtjen për frymë brenda NATO-s. Norvegjia dhe Finlanda ndajnë kufi tokësor me Rusinë dhe të gjitha vendet nordike janë mbështetëse të forta të Ukrainës.