Skënder Hita kërkon modelin italian për Policinë shqiptare: Prioritet, Akademia e Sigurisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali, ku është takuar me drejtuesit e Akademisë së Policisë italiane për të diskutuar mbi zgjerimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve dhe mundësitë për një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e arsimit policor.
Gjatë vizitës, Hita, i shoqëruar nga delegacioni shqiptar, është pritur nga drejtori i Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola. Delegacioni ka vizituar gjithashtu ambientet e institucionit, duke u njohur me praktikat, programet akademike dhe mënyrën e përgatitjes profesionale të punonjësve të policisë italiane.
Në qendër të bisedimeve kanë qenë trajnimet e specializuara, shkëmbimi i përvojave mes ekspertëve, bashkëpunimi akademik dhe mundësitë për përmirësimin e kapaciteteve profesionale të efektivëve shqiptarë.
Gjatë takimit, kreu i Policisë së Shtetit e konsideroi formimin profesional dhe integritetin e punonjësve si dy elementë thelbësorë për ndërtimin e një strukture policore moderne. Në këtë kuadër, ai identifikoi zhvillimin e Akademisë së Sigurisë si një prej objektivave kryesore të drejtimit të tij.
“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia”, u shpreh Skënder Hita.
Ai kërkoi gjithashtu që marrëdhëniet me institucionet italiane të arsimit policor të marrin një dimension më konkret, përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, si dhe organizimit të trajnimeve që do të ndihmonin në rritjen e profesionalizmit të uniformave blu.
Nga ana e tij, Mario Viola vlerësoi zhvillimet e Akademisë së Sigurisë në Shqipëri, duke veçuar procesin e akreditimit dhe marrëveshjet e bashkëpunimit të institucionit shqiptar me struktura homologe në Evropë, rajon dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Drejtuesi italian konfirmoi gatishmërinë për të vijuar mbështetjen ndaj Akademisë së Sigurisë, përmes vënies në dispozicion të literaturës profesionale, zhvillimit të trajnimeve dhe bashkëpunimit në programet e studimeve Master.
Në takim ishte i pranishëm edhe rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro, i cili vlerësoi kontributin e palës italiane në zhvillimin akademik dhe profesional të institucionit që drejton.
Mandro u ndal veçanërisht te rëndësia e vijimit të programit Master “Hetimi i Krimit”, shkëmbimi i lektorëve, organizimi i trajnimeve të përbashkëta dhe ndarja e eksperiencave në fushën e policimit në komunitet.
Vizita synon të krijojë mundësi të reja për forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, ndërsa mbetet për t’u parë se sa nga angazhimet e diskutuara do të konkretizohen në programe të qëndrueshme dhe rezultate të prekshme për formimin e efektivëve shqiptarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



