Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi vendimin si fillimin e një kapitulli të ri për sportin, kulturën dhe artin në Shqipëri.
Duke folur nga stadiumi “Air Albania”, Gonxhja shpjegoi se projektligji synon të ndryshojë mënyrën e financimit të veprimtarive sportive, artistike dhe kulturore. Sipas tij, nisma përbën një hap historik për zhvillimin e këtyre fushave dhe krijon më shumë mundësi për të rinjtë dhe talentet shqiptare.
Të lidhura
None found
Reforma e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit synon të forcojë partneritetin mes shtetit dhe biznesit, duke e kthyer sponsorizimin në një mënyrë konkrete investimi te talenti shqiptar. Sipas dispozitave të reja, bizneset që mbështesin sportin, artin dhe kulturën do të mund të zbresin faturën e sponsorizimit drejtpërdrejt nga tatimi mbi fitimin, deri në masën 30 përqind.
Skema parashikon një tavan prej 2 miliardë lekësh të reja në vit, ose rreth 22 milionë euro, për financimin e këtyre sektorëve. Kjo shumë do të jetë shtesë ndaj programeve vjetore të miratuara në buxhetin e shtetit. Gonxhja tha se politika e re i trajton sportin, artin dhe kulturën si përparësi për shkak të vlerës sociale, edukative dhe ekonomike që krijojnë.
Sipas ministrit, nxitja e sponsorizimeve pritet të shtojë aktivitetet dhe bashkëfinancimet, të përmirësojë imazhin e prestigjin ndërkombëtar dhe të mbështesë industrinë krijuese e komunitetet sportive. Ai tha se ndikimi i saj do të shtrihet edhe te forcimi i kohezionit dhe ulja e kostove shtetërore në shëndetësi, siguri dhe çështje sociale.
Gonxhja theksoi se reforma parashikon më shumë transparencë përmes një regjistri elektronik kombëtar të sponsorizimeve, si dhe mekanizmave të auditimit e kontrollit. Ai e përshkroi nismën si të shumëpritur dhe të kërkuar, duke thënë se Shqipëria mund ta ndërmarrë sot falë potencialit financiar e buxhetor të krijuar nga politikat dhe rritja konkrete ekonomike.






