
Kryeministri Edi Rama ka komentuar disa prej çështjeve kryesore të aktualitetit politik dhe ndërkombëtar gjatë një prononcimi për mediat në Dublin, ku ndodhet për të marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian.
Një ndër çështjet për të cilën u pyet kryeministri ishte investimi i Jared Kushnerit në Shqipëri, i cili kishte nxitur protesta në fillim të verës.
Rama mohoi të kishte marrëdhënie biznesi me Kushnerin, ndërsa i cilësoi të pavërteta raportimet se ishulli i Sazanit i ishte dhënë investitorit amerikan.
“Nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi me Kushnerin. Ai është një nga investitorët e shumtë që kanë treguar interes për vendin tonë. Aktualisht po zhvillohen bisedime me grupin e tij, i cili është një grup i madh dhe me qëllime shumë të mira. Nëse do t’ju pyesja se çfarë dini për këtë çështje, do të më thoshit se ka një ishull në Shqipëri që i është dhënë atij. Kjo është ajo që ju kanë thënë mediat ndërkombëtare, por është gënjeshtër”, deklaroi Rama.