Manifaktura Shqiptare kërkon zero tatim për pagat deri në 80 mijë lekë, transparencë për fondet e BE

Në dëgjesën e Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat për efektet e paketës fiskale, kryetari i Manifakturës Shqiptare, Florjan Zeka kërkoi ndryshimin e pragut të patatueshëm për pagat.
“Ne kemi kërkuar të modifikohet tatimi mbi të ardhurat për punonjësit. Një pagë minimale prej 50 mijë lekësh tatohet me 0%, por një punonjës që paguhet mbi këtë vlerë, për shkak të mënyrës së taksimit, përfiton më shumë sesa ai që është nën këtë fashë.
Kjo është e padrejtë. Handikapi qëndron në faktin se tatimi nuk llogaritet mbi vlerën e fashës së pagës, por nis nga 35 mijë lekë. Pra, një punonjës me pagë 50 001 lekë përfiton më tepër sesa një punonjës që paguhet nën këtë fashë.
Propozimi ynë është që për pagat deri në 80 mijë lekë bruto, ose 64 mijë lekë neto, tatimi të jetë zero.
Së dyti, problemi kryesor për sektorin tonë është euroja. Po marrim një shembull: një biznes që hap NIPT-in përcakton në statut aktivitetin e tij.
Në vend, këmbimi i euros po bëhet edhe nga bizneset e fruta-perimeve, ndërsa zhvlerësimi i euros po ndikohet nga një sërë faktorësh.
Ndërkohë, që nga muaji qershor, rënia e eksporteve është dyshifrore. Ne kërkojmë që kjo situatë të vlerësohet dhe të merret në konsideratë në paketën fiskale.
Zeka kërkoi transparencë për fondet prej 922 milionë eurosh të BE-së, duke propozuar krijimin e një komisioni qeveritar ose parlamentar për të monitoruar shpërndarjen e tyre dhe përfitimet që shkojnë për bizneset.
Fondet e BE-së të dedikuara për vendin arrijnë në 922 milionë euro. Këto fonde, që merren çdo vit, janë ndarë në pesë shtylla dhe një pjesë e tyre është e dedikuar për SME-të dhe startup-et.
Nuk ka transparencë se sa prej këtyre fondeve do të shkojnë për biznesin. Ne kërkojmë që të krijohet një komision qeveritar ose parlamentar për të garantuar transparencën e përdorimit të fondeve”, u shpreh Zeka.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









