Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka ndarë detaje të reja dhe mjaft personale rreth betejës së saj me kancerin dhe procesit të rikuperimit, duke treguar se si natyra e ndihmoi të gjente forcën për të përballuar një prej periudhave më sfiduese të jetës.

Rrëfimi vjen përmes një interviste të veçantë për revistën “Country Life”, numri special i së cilës është redaktuar nga bashkëshorti i saj, Princi William. Për këtë botim, Kate është fotografuar nga Josh Shinner në një ambient të rrethuar nga natyra, duke reflektuar edhe një prej pasioneve që e shoqëron prej vitesh.

Në bisedën me shkrimtarin Robert Macfarlane, princesha u ndal te rëndësia që pati natyra gjatë rikuperimit pas diagnozës së kancerit në vitin 2024. Ajo tregoi se që në fillim ishte përgatitur për faktin se rikthimi në gjendjen e mëparshme nuk do të ishte i lehtë dhe as i menjëhershëm.

“Në spital më thanë se rikuperimi im nuk do të ishte linear. Do të ketë ditë të mira dhe ditë të këqija, dhe se gjithçka do të kërkojë kohë. E njëjta gjë ndodh edhe në natyrë”, u shpreh Kate.

Për të, natyra është kthyer në një burim të rëndësishëm force dhe shprese, duke i kujtuar se jeta është pjesë e një tërësie shumë më të madhe. Princesha theksoi se pikërisht mësimet që mund të marrim prej saj e kanë ndihmuar të shohë ndryshe edhe momentet e vështira.

Ajo nënvizoi gjithashtu se në periudha të tilla nuk duhet nënvlerësuar rëndësia e mbështetjes emocionale dhe e njerëzve që të qëndrojnë pranë.

“Të kesh një ndjenjë lidhjeje, njerëz të besuar pranë vetes dhe vende ku ndihesh në paqe mund të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme në periudha të vështira”, deklaroi princesha, duke e përshkruar natyrën si një mësuese që të përcjell mesazhe pa pasur nevojë për fjalë.

Përveç përvojës së saj personale, Kate foli edhe për sfidat e prindërimit dhe mënyrën se si dëshiron të rrisë tre fëmijët e saj, George, Charlotte dhe Louis. Ajo shpjegoi se përpiqet t’u krijojë hapësirë për të zbuluar botën me kuriozitet dhe për të krijuar përvojat e tyre, pa u imponuar vazhdimisht se si duhet t’i shohin gjërat.

Një tjetër shqetësim i princeshës lidhet me shëndetin emocional të brezit të ri. Sipas saj, rritja e ankthit te të rinjtë dhe ndikimi gjithnjë e më i madh i teknologjisë e bëjnë edhe më të domosdoshëm kontaktin me natyrën. Ajo beson se qëndrimi larg ekraneve u jep fëmijëve mundësinë të zhvillojnë imagjinatën, kreativitetin dhe pavarësinë.

Kate u kthye gjithashtu pas në kujtimet e fëmijërisë, kur kalonte orë të tëra duke eksploruar përrenj, duke mbledhur manaferra dhe duke shijuar momente të thjeshta larg zhurmës së përditshme. Ajo kujtoi se këto aktivitete i jepnin një ndjenjë të veçantë lirie, të cilën është e vështirë ta gjesh në shumë ambiente të tjera.

Përballja e Kate Middleton me sëmundjen u bë publike në mars të vitit 2024, pasi në janar të po atij viti ajo kishte kryer një ndërhyrje të rëndësishme kirurgjikale në zonën e barkut. Përmes një videomesazhi personal, princesha zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer dhe se kishte nisur trajtimin parandalues.

Në shtator 2024, ajo njoftoi përfundimin e trajtimit, por bëri të qartë se periudha e rikuperimit do të kërkonte durim dhe se rikthimi në angazhimet mbretërore do të realizohej hap pas hapi. Një tjetër lajm i rëndësishëm erdhi në janar të vitit 2025. Gjatë një vizite në spitalin Royal Marsden, ku kishte marrë edhe trajtimin e saj, Kate bëri të ditur se kanceri ishte në remision.

Pas kësaj përvoje, princesha është angazhuar edhe në mbështetjen e personave që përballen me sëmundjen. Së bashku me Princin William, ajo u bë bashkëpatrone e Fondacionit NHS Royal Marsden.

Në qershor të vitit 2025, Kate mori pjesë edhe në sfidën fizike “Three Peaks Challenge”, përmes së cilës synohej mbledhja e fondeve për spitalin. Sfida konsiston në ngjitjen e tri majave më të larta të Britanisë së Madhe, Ben Nevis, Scafell Pike dhe Yr Wyddfa, brenda një periudhe prej 24 orësh.

Në një mesazh të publikuar së bashku me fotografinë e saj nga maja e Ben Nevis, ajo rikujtoi se sa shumë njerëz përballen çdo vit me lajmin e vështirë të një diagnoze të tillë. “Çdo vit, qindra mijëra njerëz në këtë vend dëgjojnë fjalët që askush nuk dëshiron t’i dëgjojë”, shkroi ajo.