Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka reaguar ashpër pas kërcënimeve anonime për sulme me bombë ndaj shkollave në disa zona të Italisë, të cilat shkaktuan panik dhe pezullimin e përkohshëm të procesit mësimor në qindra institucione arsimore. Përmes një videomesazhi, Meloni u shpreh se autorët e këtyre kërcënimeve synonin të krijonin frikë dhe të paralizonin vendin, por theksoi se jeta në Itali do të vijojë normalisht.
“Nuk do të lejojmë që një email anonim të vendosë kalendarin shkollor të fëmijëve tanë. Kushdo që e bëri këtë donte një komb të paralizuar dhe të frikësuar. Ata do të gjejnë një komb që zgjohet, i çon fëmijët e tij në shkollë dhe shkon në punë”, u shpreh Meloni.
Kryeministrja siguroi qytetarët se alarmet e regjistruara nuk lidhen me një rrezik konkret, ndërsa bëri të ditur se autoritetet po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës.
Mbi 6300 shkolla në Itali u përfshinë nga kërcënimet anonime për sulme me bombë. emailet dyshohet se janë dërguar nga një adresë elektronike e komprometuar, e cila i përkiste një universiteti në Tajvan.
Pas alarmit, në disa institucione mësimi u pezullua për disa orë, ndërsa nxënësit dhe stafi u evakuuan për arsye sigurie. Pasi kërcënimet u vlerësuan si të rreme, procesi mësimor rifilloi. Ministri italian i Arsimit konfirmoi se nxënësit dhe mësuesit ishin evakuuar në mënyrë të sigurt, duke e cilësuar ngjarjen si pjesë të një sulmi kibernetik.
Në emailet kërcënuese, dërguesi përdorte emrin Mikhail Andropov dhe pretendonte se do të kryente shpërthime në ndërtesa të ndryshme. Mesazhet përmbanin edhe deklarata ekstremiste dhe kërcënime ndaj qytetarëve italianë.
Por Italia nuk është i vetmi vend i prekur nga kjo valë alarmesh. Kërcënime të ngjashme u regjistruan edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku në Skoci u prekën rreth 470 shkolla, ndërsa në Irlandën e Veriut mesazhe të tilla iu dërguan rreth 300 institucioneve arsimore. Në disa prej shkollave pati evakuime, ndërsa në të tjera mësimi vijoi normalisht pasi emailet u vlerësuan si mashtrime.


