‘Një përfundim tejmase i vështirë’/ Manchester United zyrtarizon shkarkimin e Michael Carrik
Manchester United vazhdon të paguajë shtrenjtë gabimet e një drejtimi sportiv që duket se ka humbur tashmë çdo lidhje me historinë dhe identitetin e klubit. Problemet nuk janë të dukshme vetëm në fushën e lojës, ku që prej largimit të Sir Alex Ferguson nga pankina në vitin 2013, klubi nuk ka arritur të gjejë më vazhdimësinë e rezultateve, por edhe në aspektin financiar.
Fatura për trajnerët dhe drejtuesit e emëruar e më pas të shkarkuar ka kaluar tashmë shifrën e 100 milionë eurove. Një shumë që pritet të rritet edhe më tej me shkarkimin e Michael Carrick dhe ardhjen e mundshme të Mauricio Pochettinos, aktualisht trajner i kombëtares së Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, për ta sjellë argjentinasin në Old Trafford, United do të duhet të përballojë një tjetër shpenzim të konsiderueshëm. Një tjetër revolucion në pankinën e Djajve të Kuq duket tashmë i pashmangshëm.
Nga Carrick te Pochettino: një tjetër faturë ‘e kripur’Operacioni i mundshëm për afrimin e Pochettinos do të kishte kosto në disa drejtime. Për ta shkëputur trajnerin nga kontrata me federatën amerikane, Manchester United do të duhej të paguante një klauzolë largimi që vlerësohet rreth 10 milionë dollarë, ose afërsisht 7,4 milionë paund. Kësaj shume do t’i shtoheshin dëmshpërblimet e mundshme për stafin e tij, si dhe ato që do t’u paguheshin Carrick dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kostoja e largimit të trajnerit aktual dhe grupit të tij të punës, ku bëjnë pjesë edhe Steve Holland dhe Jonathan ëoodgate, vlerësohet në të paktën 5 milionë paund. Një tjetër operacion me kosto të lartë për një klub që gjatë dy viteve të fundit ka shkurtuar 322 vende pune, në kuadër të një plani për uljen e shpenzimeve. Me ardhjen e mundshme të Pochettinos, fatura totale e dëmshpërblimeve të paguara nga Manchester United që prej largimit të Fergusonit do të kalonte kështu 108 milionë paund, ose më shumë se 120 milionë euro.
Një listë e gjatë gabimesh
Historia e viteve të fundit të Manchester United është kthyer në një varg emërimesh trajnerësh, shkarkimesh dhe çekësh të majmë për të paguar dëmshpërblimet. Gjithçka nisi me David Moyes, i cili u përzgjodh në vitin 2013 për të pasuar Sir Alex Fergusonin, duke firmosur një kontratë gjashtëvjeçare. Megjithatë, aventura e tij zgjati vetëm dhjetë muaj, ndërsa shkarkimi i kushtoi klubit 4,9 milionë paund. Kësaj shume iu shtuan edhe 2,4 milionë paund të tjera, të paguara si dëmshpërblim për disa anëtarë të stafit të Sir Alex Fergusonit. Në vitin 2016 ishte radha e Louis van Gaal, i cili kishte marrë drejtimin e skuadrës në vitin 2014, por u shkarkua pas dy sezonesh, pavarësisht se kishte ende një kontratë në fuqi. Ndarja me trajnerin holandez i kushtoi klubit 8,4 milionë paund.
Edhe më i kushtueshëm ishte divorci me José Mourinhon: shkarkimi i trajnerit portugez i kushtoi klubit 19,6 milionë paund, shifra më e lartë e regjistruar nga Manchester United në periudhën pas largimit të Fergusonit. Pas ndarjes nga Ole Gunnar Solskjaer në vitin 2021, që i kushtoi klubit 9,1 milionë paund, United ia besoi përkohësisht drejtimin e skuadrës Ralf Rangnickut. Gjermani duhej të merrte më pas një rol këshillimor për një periudhë dyvjeçare, por ky bashkëpunim nuk u realizua kurrë. Largimi i tij, së bashku me atë të bashkëpunëtorëve dhe ndryshimet e tjera në strukturën e sektorit sportiv të klubit, solli edhe 14,7 milionë paund të tjera shpenzime për dëmshpërblime. As periudha e Erik ten Hag nuk solli stabilitetin e shumëpritur. Pasi i kishte rinovuar kontratën, pavarësisht bisedimeve me disa kandidatë të mundshëm për ta zëvendësuar, Manchester United vendosi ta shkarkonte holandezin vetëm 116 ditë pas firmosjes së marrëveshjes së re. Kostoja e këtij operacioni arriti në 10,4 milionë paund.Në fund, ishte radha e Ruben Amorim. Për të siguruar shërbimet e trajnerit, i cili aktualisht drejton Milanin, klubi anglez i pagoi Sportingut të Lisbonës 11 milionë paund në nëntor 2024. Ndërsa shkarkimi i mëvonshëm i trajnerit portugez dhe stafit të tij i kushtoi edhe 8,2 milionë paund të tjera.
Kalimi nga Carrick te një trajner i ri, me Pochettinon që kryeson listën e kandidatëve, rrezikon të bëhet kapitulli i radhës i një historie që po përsëritet vazhdimisht. Që nga viti 2013 e deri më sot, Manchester United ka ndryshuar trajnerë, drejtues dhe strategji, pa arritur të rindërtojë një projekt fitues dhe afatgjatë.Mbi 120 milionë euro të shpenzuara për dëmshpërblime dhe kompensime janë kostoja e një drejtimi sportiv që, 13 vjet pas largimit të Sir Alex Fergusonit, vazhdon ende të kërkojë identitetin e tij. Dhe me revolucionin e radhës në pankinë që pritet të ndodhë së shpejti, fatura vazhdon të rritet.
Top Channel