Komuna e Vitisë po vazhdon investimet në infrastrukturën rrugore në disa lokalitete, ku janë duke u zhvilluar punimet për përgatitjen e segmenteve të reja për asfaltim.

Punimet infrastrukturore janë duke u realizuar në Debelldeh, në vendin e njohur si “Kodra e Furrës”, në Sadovinë të Çerkezve, te varrezat e reja, si dhe në disa segmente të tjera rrugore në Viti.


Sipas njoftimit të Komunës së Vitisë, përgatitjet për asfaltim po zhvillohen edhe në segmentin nga Lindi deri te rruga Mogillë–Viti, si dhe në rrugën që lidh shkollën fillore “Dëshmorët e Vitisë” me zonën e njohur si Bahçet.

Punimet i ka vizituar nga afër kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka theksuar rëndësinë e këtyre projekteve për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët.

Haliti ka bërë të ditur se komuna do të vazhdojë realizimin e projekteve infrastrukturore edhe në lokalitete të tjera, me synimin e përmirësimit të vazhdueshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët. /Telegrafi/