Berisha “shigjeton” gazetaren Klodiana Lala: Je e keqpërdorur në mënyrë të pamëshirë
Sali Berisha u paraqit këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në cilësinë e kallëzuesit, në lidhje me çështjen e gjyqtares Irena Gjoka. Dalja e tij nga SPAK u shoqërua me një përplasje të drejtpërdrejtë me gazetarët, ku në qendër të debatit u vendos Klodiana Lala.
Gazetarja e News24 e pyeti kryedemokratin nëse kishte dorëzuar dokumente për kallëzimin ndaj gjyqtares, por përgjigjja e tij u pasua nga akuza ndaj saj. Berisha pretendoi se Lala merr informacione nga SPAK dhe i përdor ato për të krijuar perceptime publike për persona përpara se të përfundojnë proceset gjyqësore.
Pavarësisht insistimit të gazetares për të marrë një përgjigje konkrete, debati u zhvendos në akuza personale, me Berishën që e cilësoi Lalën si një prej gazetareve më të keqpërdorura, ndërsa kjo e fundit mbrojti rolin dhe përgjegjësinë e saj profesionale.
Përplasja Berisha – Lala:
Berisha: Klodiana Lala është një person që keqpërdoret në mënyrë të pamëshirë
Klodiana Lala, News24: Zoti Berisha, se ju e nisni gjithmonë duke akuzuar mediat, meqenëse u pyetët si kallëzues për herë të parë, a dorëzuat dokumente që ju i keni bërë publike këtu përpara nesh?
Sali Berisha: Unë ato dokumente që kam pasur, i kam dorëzuar në padinë që kam bërë.
Klodiana Lala, News24: Tani meqenëse hodhët akuza ndaj medias që po mbrojnë persona të caktuar, mund të na thoni kë po mbron media?
Sali Berisha: Tani, tani të them unë ty. Ke lënë përshtypjen, jo media, po Klodiana, ka lënë përshtypjen me ca informacione që funksionon si një enë sifon e informacioneve…
Klodiana Lala, News24: Na e shpjego pak zoti Berisha se kur ju djeg, ju gjithmonë gjeni një vend ku të gjuani?
Sali Berisha: Mua nuk më djeg asgjë. Mua nuk më djeg asgjë nga mashtrimet e askujt. Por ti që hiqesh si informante e këtyre se ke të dhëna, kush t’i jep të dhënat ty që i nxjerr ti?
Klodiana Lala, News24: Unë jam gazetare zotëri. Mund të jeni edhe ju një prej atyre që më informojnë…
Sali Berisha: Nga unë nuk merr kurrë ti informacione. Pse nuk merr ti kurrë informacione nga unë? Se ti je e keqpërdorur. Kaq. Vetëm kaq.
Klodiana Lala, News24: Zoti Berisha vazhdo, unë jam mësuar me sulme nën brez sidomos nga politika. Vazhdo zoti Berisha unë jam gazetare…
Sali Berisha: Unë edhe njëherë po të them ty, ti ke ardhur për këtë qëllim, po unë të them ty, ti je e keqpërdorur. E kepërqdorur në shkallë ekstreme. Klodiana Lala është një person që keqpërdoret në mënyrë të pamëshirë. Ata që të keqpërdorin kanë përgjegjësi, jo unë që respektoj gazetarët, por meqenëse e deshe, ta thashë. Ti je një nga gazetaret më të keqpërdorura zonjë dhe nuk të ka përgjegjësi as Sali Berisha, as opozita. Gjeje vetë përgjegjësinë.
Klodiana Lala, News24: Jam përpara opinionit publik dhe mbaj përgjegjësi për çdo fjalë që them. Balta e politikës së vjetër mua nuk më bën pis.
Sali Berisha: Bravo, ti je fytyra e re e gazetarisë.
Klodiana Lala, News4: Jam që ç’ke me të. A dorëzuat sot dokumente si kallëzues? A dorëzuat ju dokumente si kallëzues?
Në përfundim të komunikimit me gazetarët, Berisha iu referua kallëzimit të bërë së bashku me Jamarbër Malltezin ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për pretendime që lidhen me formularin e saj të vetëdeklarimit.
Çështja e gjyqtares Irena Gjoka
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi kanë kallëzuar gjyqtaren Irena Gjoka për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, duke pretenduar se ajo nuk ka deklaruar një dënim të mëparshëm në Greqi.
Irena Gjoka është gjyqtarja që ka firmosur kërkesat e Prokurorisë së Posaçme në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”, ku janë të përfshirë Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



