Ministria e Mjedisit ka shfuqizuar lejen mjedisore të tipit A të kompanisë “KURUM International”, për ushtrimin e aktivitetit industrial në Bradashesh të Elbasanit, në ambientet e Kombinatit Metalurgjik.
Vendimi është firmosur më 3 nëntor 2026 nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, përmes urdhrit nr. 540, i cili parashikon shfuqizimin e lejes mjedisore me numër PN-3843-09-2016, të lëshuar në shtator të vitit 2016.
Shfuqizimi i lejes prek një sërë aktivitetesh industriale që zhvilloheshin nga kompania, duke nisur nga prodhimi i gizës dhe çelikut, përfshirë shkrirjen primare dhe sekondare, përpunimin e metaleve ferroze dhe funksionimin e fonderive.
Në vendim përfshihen gjithashtu aktivitetet që lidhen me përdorimin e gazit natyror dhe gazit natyror të lëngshëm (GNL), prodhimin e gëlqeres në furra rrotulluese, si dhe përpunimin dhe saldimin e metaleve.
Vendimi i Ministrisë së Mjedisit vjen në një moment delikat për kompaninë KURUM, e cila është përfshirë edhe në hetimet e Prokurorisë së Durrësit lidhur me çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje të dyshuara si të rrezikshme.
Kontejnerët u nisën nga Shqipëria drejt Tajlandës, por u kthyen në vend në tetor të vitit 2024, pas dyshimeve për përmbajtjen e ngarkesës. Çështja shkaktoi një reagim të gjerë dhe vuri në qendër të vëmendjes mënyrën e menaxhimit dhe eksportimit të mbetjeve industriale.
Shfuqizimi i lejes mjedisore përbën një zhvillim të rëndësishëm për aktivitetin e kompanisë në Elbasan, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë pasojat konkrete të vendimit për vijimësinë e aktivitetit industrial të KURUM-it.












