
Policia e Shtetit ka njoftuar masat e marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes Shqipëri-Finlandë, e cila do të zhvillohet sot, më 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Për shkak të këtij aktiviteti sportiv, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në disa akse pranë stadiumit. Bllokimet do të përfshijnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e fast food-it “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit, rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali” dhe “Abdyl Frashëri”.
Kufizime do të ketë edhe në rrugën “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, ku do të lejohet kalimi vetëm i automjeteve të autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ndërkohë, në sheshin “Wilson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.
Policia bën me dije se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të hapura për qarkullimin e automjeteve.
Në kuadër të planit të masave, tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme përpara hyrjes në stadium. Policia do të ndalojë futjen e sendeve që mund të rrezikojnë sigurinë, mes tyre banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues celularësh, sende të forta dhe produkte kozmetike.
Autoritetet u bëjnë thirrje tifozëve të paraqiten në hyrjet e stadiumit që prej orës 18:30, për të shmangur vonesat dhe rrezikun e humbjes së mundësisë për të hyrë në stadium për shkak të fluksit të lartë para fillimit të ndeshjes.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit janë angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të kujdesen për rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’u ofrojnë ndihmë dhe informacion tifozëve.