Një investigim i gjerë i Sky News ka zbuluar detaje mbi mënyrën se si funksionojnë rrjetet kriminale shqiptare të përfshira në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës në Britaninë e Madhe.
Përmes një operacioni disa mujor, gazetarët investigativë arritën të depërtojnë në aktivitetin e këtyre grupeve, duke përdorur identitete të rreme, telefona të posaçëm dhe një bashkëpunëtor që fliste shqip.
Investigimi, i cili zgjati pothuajse një vit, synonte të dokumentonte se si grupet e organizuara kriminale shqiptare kanë arritur të krijojnë një rrjet të gjerë të shpërndarjes së kokainës në qytete të ndryshme britanike, si dhe sa lehtë mund të rekrutohen persona të rinj për t’u përfshirë në këtë aktivitet.
Gazetarët ndoqën fillimisht gjurmët e reklamave të publikuara në TikTok, ku ofroheshin vende pune me pagesa të larta, përfshirë transportin dhe shpërndarjen e produkteve. Disa prej këtyre reklamave shoqëroheshin me emoji të borës, që sipas investigimit përdorej si referencë për kokainën.
Pasi kontaktuan personat që publikonin këto njoftime, gazetarët kuptuan se për të depërtuar në rrjetet kriminale duhej një person që fliste shqip dhe që mund të krijonte besueshmëri te personat e përfshirë në aktivitetin e paligjshëm.
Një nga episodet më domethënëse të investigimit u zhvillua në qytetin e Exeter, ku një person i identifikuar me pseudonimin Leo u takua me gazetarin e infiltruar në një kafene. Në një ambient publik, mes klientëve që konsumonin kafen e tyre, Leo nisi të diskutonte hapur për mënyrën e funksionimit të aktivitetit të tij kriminal. Brenda pak minutash, ai i ofroi gazetarit një vend ku mund të qëndronte, informacion mbi çmimet e kokainës dhe mundësinë për të nisur punën si shpërndarës.
Madje, personi në fjalë këmbënguli që gazetari të fillonte menjëherë, duke i propozuar që të niste shpërndarjen që në mesditë, ndonëse takimi kishte nisur vetëm në orën 10:30. Gjatë bisedës, Leo foli për çmimet e drogës, uljet që ofroheshin për klientët që blinin sasi më të mëdha dhe mënyrën se si funksiononte rrjeti i shpërndarjes. I pyetur nëse policia përbënte problem për aktivitetin, ai u përgjigj se nuk ishte problem.
Gazetari qëndronte përballë tij duke regjistruar fshehurazi bisedën. Në një moment, Leo kërkoi t’i shihte patentën e drejtimit, por gazetari arriti të shmangte kërkesën duke pretenduar se e kishte lënë portofolin në automjet. Pamjet e këtij takimi habitën edhe David McKelvey, ish-oficer policie që ka punuar në operacione të fshehta kundër grupeve kriminale shqiptare. Sipas tij, informacionet e dhëna gjatë bisedës do t’i mjaftonin policisë për të ndërmarrë një kontroll në adresën e përmendur nga personi i dyshuar.
280 paund në ditë për shpërndarjen e kokainës
Një tjetër episod i investigimit u zhvillua në Wigan, ku gazetarët identifikuan një tjetër reklamë për rekrutimin e shpërndarësve të drogës. Këtë herë, takimi u organizua në një automjet të parkuar pranë një këndi lojërash për fëmijë. Personi që drejtonte aktivitetin i ofroi gazetarit të infiltruar një pagesë prej 280 paundësh në ditë, në këmbim të shpërndarjes së kokainës.
Sipas investigimit, kjo shumë përfaqësonte të ardhura shumë të larta krahasuar me pagat në sektorin e ligjshëm të punësimit në Britani. Edhe në këtë takim u diskutuan çmimet e drogës dhe mënyra e funksionimit të aktivitetit.
Gazetarët arritën të dokumentonin se rekrutimi i personave të rinj bëhej me një lehtësi shqetësuese, ndërsa ofertat për pagesa të larta shërbenin si një mënyrë për të tërhequr individë të rinj në këtë veprimtari.
Një tjetër element i rëndësishëm i investigimit ishte mënyra se si organizohet shpërndarja e kokainës në qytetet britanike.
Sipas gazetarëve, anëtarët e niveleve më të larta të grupeve kriminale kontrollojnë të ashtuquajturit “deal phones”, telefona përmes të cilëve klientët bëjnë porositë e drogës. Më pas, adresat e klientëve u kalohen shpërndarësve që merren me dorëzimin e lëndës narkotike dhe mbledhjen e parave.
Për të dokumentuar shpejtësinë e këtij sistemi, një gazetar i Sky News porositi kokainë në Royal Tunbridge Wells. Brenda pak minutash, ai mori një mesazh ku i premtohej se porosia do të mbërrinte brenda 30 minutash.
Investigimi zbuloi gjithashtu se këta telefona kanë një vlerë të konsiderueshme për grupet kriminale, pasi përmbajnë kontakte të konsoliduara të klientëve. Një prej tyre ishte reklamuar në TikTok për 300 mijë paund.
Zbulohet edhe lidhja me kontrabandimin e emigrantëve
Përtej trafikut të kokainës, gazetarët zbuluan edhe gjurmë të një aktiviteti tjetër kriminal, që lidhet me transportimin e personave që kërkojnë t’i shmangen drejtësisë.
Në TikTok u identifikua një reklamë në gjuhën shqipe, ku ofrohej transportimi i personave që kishin probleme në Britani drejt vendeve të Europës, me premtimin për një udhëtim të sigurt çdo javë.
Gazetarët kontaktuan personin që qëndronte pas reklamës përmes një profili të fshehtë. Ai ofroi transportimin e një personi drejt Europës me kamion, kundrejt pagesës prej 2,500 paundësh. Sipas investigimit, lidhjet mes disa grupeve të përfshira në trafikun e drogës dhe rrjeteve të kontrabandimit të emigrantëve janë një tjetër aspekt që po shqyrtohet nga autoritetet britanike. Frank Stewart, zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), deklaroi se disa prej grupeve kriminale shqiptare janë të përfshira edhe në aktivitetet e organizuara të emigracionit të paligjshëm.
Si u krijua fuqia e grupeve shqiptare në tregun e kokainës?
Sipas investigimit, për dekada me radhë tregu britanik i kokainës dominohej kryesisht nga grupe kriminale vendase. Megjithatë, situata ndryshoi kur grupet shqiptare krijuan lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën e Jugut. Duke shmangur ndërmjetësit europianë, këto grupe arritën të ulnin kostot, të rrisnin fitimet dhe të siguronin sasi më të mëdha të kokainës.
Kathryn Westmore, drejtoreshë e sektorit të krimit financiar në UK Finance, shpjegoi se një nga faktorët që i ka bërë këto rrjete kaq fitimprurëse është kontrolli mbi disa hallka të procesit, nga furnizimi deri te shpërndarja. Ndërkohë, ish-oficeri David McKelvey paralajmëroi për rrezikun që paraqesin këto grupe, duke theksuar se ato mund të përdorin dhunë ekstreme ndaj personave që i kundërshtojnë ose që nuk përmbushin detyrimet ndaj tyre.
Një prej deklaratave më të forta në investigim vjen nga Frank Stewart, përgjegjës në NCA për luftën kundër këtyre grupeve kriminale. Ai deklaroi se autoritetet britanike vlerësojnë se grupet e organizuara kriminale shqiptare kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend.
Sipas të dhënave të përmendura në investigim, Britania e Madhe është konsumatori më i madh i kokainës në Europë, ndërsa konsumi i kësaj lënde narkotike është rritur me më shumë se një të katërtën gjatë pesë viteve të fundit.
Ky treg i madh krijon mundësi të konsiderueshme fitimi për organizatat kriminale dhe e bën edhe më të vështirë luftën e autoriteteve kundër tyre.
Historia e emigrantit shqiptar: Familjarët financuan udhëtimin, më pas përfundoi në trafikun e drogës
Një tjetër pjesë e investigimit trajton lidhjen mes emigracionit të paligjshëm dhe rekrutimit në aktivitetet kriminale. Gazetarët kontaktuan një shqiptar që kishte mbërritur në Britani me një gomone në vitin 2022 dhe më pas ishte përfshirë në aktivitetin e shpërndarjes së drogës.
Ai rrëfeu në kushte anonimiteti se udhëtimi i tij ishte financuar nga familjarët, me kushtin që pasi të mbërrinte në Britani të punonte për trafikantët shqiptarë. Sipas dëshmisë së tij, pasi u largua nga hoteli ku ishte akomoduar si emigrant, ai përfundoi në një fermë kanabisi në Manchester, ashtu siç ishte parashikuar nga personat që kishin organizuar udhëtimin.
I pyetur nëse edhe persona të tjerë që kishin udhëtuar me të kishin pasur synime të ngjashme, ai pretendoi se shumica ishin nisur me të njëjtin qëllim. Megjithatë, investigimi thekson se këto raste nuk përfaqësojnë komunitetin shqiptar në Britani. Shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë atje nuk kanë asnjë lidhje me krimin e organizuar.
Investigimi është realizuar nga gazetari Chris Matthews dhe ekipi i Sky News, në bashkëpunim me Full Story Films dhe Quicksilver Media. Dokumentari titullohet “The Drug Lords Next Door” dhe do të transmetohet më 13 nëntor, në orën 21:00, në Sky News dhe Sky Documentaries.
Përmes pamjeve të regjistruara fshehurazi, dëshmive të ish-anëtarëve të grupeve kriminale, ish-oficerëve të policisë dhe zyrtarëve që luftojnë krimin e organizuar, dokumentari synon të tregojë përmasat e rrjeteve të trafikut të kokainës në Britani.












