Sali Berisha ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje si kallëzues i Irena Gjokës.
I shoqëruar nga avokati i tij, kreu i PD do të pyetet sot për kallëzimin e PD lidhur me gjyqtaren për pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit dënimin nga një gjykatë greke.
Në maj, Gjykata e Posaçme nuk e pranoi kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve dhe e ktheu dosjen për plotësim duke i lënë 6 muaj afat Prokurorisë.
Gjoka ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të vendimit, që nuk u ekzekutua kurrë nga autoritetet greke nuk ka pasur kurrë dijeni për asnjë proces hetimor penal të zhvilluar ndaj saj në Greqi.
Gjyqtarja e posaçme ka thënë se në vitet 2002 dhe 2003 iu refuzua pa shpjegime hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor, i cili, sipas vetë ligjeve greke, është arkivuar dhe asnjëherë nuk ka marrë vendim të formës së prerë.
Ndërkohë ajo ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura nga ana e kryetarit demokrat Sali Berisha, duke qenë se ajo ka qenë gjyqtarja e hetimeve paraprake në dosjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”, për të cilën ai është vënë nën akuzë për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash.
Edhe ky i fundit është thirrur sot në SPAK.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë







Komente
Komento