Pas 6 ditësh i zhdukur në pyll, gjendet i gjallë 17-vjeçari në Australi, reagon kur sheh ekipet e shpëtimit

Një histori me fund të lumtur është regjistruar në Australi, ku një 17-vjeçar është gjetur i gjallë pas gjashtë ditësh i zhdukur në një zonë të dendur pyjore, rreth 180 kilometra në lindje të Melburnit. Pavarësisht temperaturave shumë të ulëta gjatë natës, adoleshenti arriti të mbijetojë me vetëm disa gërvishtje.
I riu, i identifikuar me emrin William, ishte zhdukur të premten e kaluar, ndërsa kishte dalë për kamping me një mik në një zonë të izoluar të shtetit Victoria. Për gjetjen e tij u angazhuan forca të shumta policie, qen të specializuar kërkimi, zhytës dhe helikopterë.
Momenti i shpëtimit është filmuar dhe publikuar në rrjetet sociale. Në pamje, 17-vjeçari shihet duke ngritur grushtin në shenjë gëzimi sapo kupton se ekipet e shpëtimit kanë mbërritur. Pasi u nxor në një vend të sigurt me ndihmën e një vinçi, atij iu dhanë ujë dhe një donut.
Adoleshenti u dërgua në spital për kontrolle mjekësore, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet shqetësime. Nëna e tij, e lehtësuar nga lajmi, u shpreh se djali ishte mirë dhe kishte vetëm disa gërvishtje. Ajo tha se William kishte qëndruar në të njëjtin vend duke pritur mbërritjen e shpëtimtarëve.




