
Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin francez. Futbollisti i ri Wanis Honsor ka ndërruar jetë në moshën vetëm 22-vjeçare, pasi pësoi një arrest kardiak gjatë një seance stërvitore me skuadrën e tij, Saint-Denis FC, që militon në ligat amatore të Francës.
Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi gjatë stërvitjes, ku 22-vjeçari u rrëzua papritur në fushë. Ekipet mjekësore mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe tentuan për rreth 45 minuta ta rikthenin në jetë, por të gjitha përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.
Tragjedia bëhet edhe më prekëse për shkak të rrethanave personale të futbollistit. Honsor ishte martuar së fundmi dhe humbi jetën vetëm një ditë përpara se të festonte ditëlindjen e tij të 23-të.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, autoritetet e ligës kanë ndërmarrë masa për të ofruar mbështetje psikologjike për shokët e skuadrës dhe të gjithë personat që ishin dëshmitarë të momentit tragjik.
