Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Ligji për Dhomat e Specializuara duhet të procedohet në Kuvend në formën aktuale, ndërsa më pas do të shqyrtohen mundësitë për amendamentimin e tij.
Duke folur në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Deliu-Kodra ka thënë se synimi është të procedohet me rrëzimin e vetos së presidentes, për të cilën nevojiten 61 vota në Kuvend.
“Ne jemi të bindur se procedimi do të ndodhë sot, në formën siç është dhe do ta procedojmë ligjin në formën siç është. Pastaj, si sponsorizues, ne do të shohim procedurat për amendamentim të ligjit. Pra, po flasim për rrëzim të vetos së presidentes, për të cilën ne e dimë që duhen 61 vota në Kuvend”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra ka theksuar se PDK-ja synon që ligji të kontribuojë në procesin e përballjes me drejtësinë në Hagë, duke shprehur gatishmëri për diskutime lidhur me përmbajtjen e tij.
Ajo ka thënë se qëllimi është që të arrihet një ligj që do të jetë në funksion të kësaj çështjeje.
