E enjte, 12 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

Mesazhe mashtruese që boshatisin llogaritë dhe vjedhin të dhënat, eksperti tregon si funksionojnë skemat: Tre hapat që duhet të ndiqni

Fushatat e mashtrimit kibernetik po synojnë gjithnjë e më shumë qytetarët, përmes mesazheve që krijojnë ndjesinë e urgjencës dhe i nxisin ata të kryejnë pagesa apo të ndajnë të dhënat e tyre personale. Eksperti i sigurisë kibernetike, Emanuel Çotaj, i ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, nën moderimin e Brikena Priftit, ka paralajmëruar për rrezikun që paraqesin këto skema mashtrimi.

Çotaj shpjegoi se pas këtyre mesazheve qëndrojnë aktorë keqdashës, të cilët synojnë vjedhjen e të dhënave të qytetarëve. Sipas tij, një nga mënyrat për të identifikuar mashtrimet është të tregohet kujdes ndaj mesazheve që kërkojnë reagim të menjëhershëm.

Ai rekomandoi tre hapa kryesorë për të shmangur rënien pre e këtyre skemave: të mos klikohen linket e dyshimta, të mos dërgohen të dhënat personale dhe të raportohen mesazhet apo lidhjet me përmbajtje keqdashëse.

Emanuel Çotaj: Rastet e tilla janë raste të fushatave të mashtrimit që nisen nga aktorë keqdashës dhe kanë për qëllim vjedhjen e të dhënave të qytetarëve. Ka një metodë për t’i dalluar apo për t’i kuptuar këto mesazhe, pasi mashtruesit përdorin efektin e emergjencës, ku nxisin qytetarët të kryejnë pagesa të shpejta, të reagojnë në kohë të shkurtra. Në raste të tilla ne sugjerojmë ndjekjen e tre hapave të thjeshtë për qytetarët. Hapi i parë është shmangia e klikimit të linkut. Hapi i dytë është mosdërgimi i të dhënave personale në këto kanale dhe hapi i tretë, i cili është raportimi i këtyre mesazheve, linkeve që kanë përmbajtje keqdashëse.

Reklamë

Eksperti shpjegoi gjithashtu se të dhënat e vjedhura mund të përdoren për qëllime të ndryshme kriminale, duke nisur nga përvetësimi i të dhënave bankare dhe personale, deri te marrja e kontrollit të plotë të pajisjeve elektronike të qytetarëve.

Sipas tij, këto të dhëna mund të shiten në tregun e zi ose të përdoren për shantazh. Çotaj theksoi se reagimi i shpejtë është thelbësor në rastet kur qytetarët kanë klikuar në një link të dyshimtë dhe kanë vendosur të dhënat e tyre.

Emanuel Çotaj: Kemi të bëjmë me disa raste, kemi raste ku kërkohen drejtpërdrejt të dhënat e kartës, kemi rastin kur synojnë të emrren të dhënat personale, e-mail apo pasworde. Pastaj është rasti më i komplikuar, kur mashtruesit synojnë të marrin kontrollin e plotë të pajisjes së qytetarëve. Këto të dhëna më pas shiten në tregun e zi, përdoren për shantazhimin e qytetarëve, etj. Është e nevojshme që të reagohet në mënyrë sa më të shpejtë. Kur qytetarët klikojnë linkun dhe vendosin të dhënat e tyre në këto platforma, koha është diçka që bën diferencën. Kur hakerat marrin këto të dhëna mund t’i shfrytëzojnë menjëherë.

Çotaj u shpreh se qytetarët kanë filluar të ndërgjegjësohen për rreziqet kibernetike dhe se raportimi i rasteve të dyshimta është rritur. Sipas tij, raportimet e marra tregojnë se përdoruesit po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj këtyre skemave.

Emanuel Çotaj: Qytetarët kanë filluar të ndërgjegjësohen, kanë filluar t’i raportojnë këto raste. Nga këto raportime që ne marrim, e kuptojmë që qytetarët dita-ditës po ndërgjegjësohen më shumë.

Sa i përket origjinës së këtyre mesazheve, eksperti theksoi se identifikimi i autorëve është i vështirë dhe nuk mund të përcaktohet me siguri nëse bëhet fjalë për grupe kriminale vendase apo të huaja.

Emanuel Çotaj: Është shumë e vështirë të gjurmohen. Nuk mund të përcaktohet nëse kemi të bëjmë me një aktor vendas apo të huaj. Edhe në vende të tjera kemi parë raste të ngjashme. Nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së aktorëve vendas, por edhe atyre të huaj, pasi mund të bashkëpunojnë së bashku.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.