Një kolonel i ushtrisë ruse është vrarë pas shpërthimit të një makine-bombë në lagjen Pushkinsky të Shën Petersburgut. Ngjarja u regjistrua të martën, ndërsa autoritetet ruse kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.

Sipas informacioneve paraprake, viktima ishte pilot ushtarak dhe ndodhej i vetëm në automjet në momentin e shpërthimit. Shpërthimi i fuqishëm i mori jetën, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi mënyrën e vendosjes dhe aktivizimit të lëndës plasëse.

Komiteti Hetimor i Rusisë konfirmoi nisjen e një hetimi penal për vrasjen e një pjesëtari të forcave të armatosura. “Autoritetet hetuese kanë nisur një hetim penal për vrasjen e një anëtari të forcave të armatosura”, thuhet në deklaratën zyrtare. Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat e shpërthimit dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një atentat të organizuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb