Kombëtarja e Shqipërisë rikthehet sonte (e enjte) në fushën e lojës, ku në stadiumin “Air Albania” në Tiranë e pret Finlandën me fillim nga ora 20:45, në një përballje të rëndësishme për xhiron e pestë të Grupit C1 në Ligën e Kombeve.

Kuqezinjtë synojnë të shfrytëzojnë faktorin vendas për të marrë tri pikët dhe për ta forcuar pozitën në krye të grupit. Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Shqipëria kryeson me nëntë pikë, të grumbulluara nga tri fitore dhe një humbje. Ekipi ka realizuar tetë gola dhe ka pësuar vetëm tre.


Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran vjen pas fitores 2-1 ndaj San Marinos, ndërsa në këtë edicion të Ligës së Kombeve ka regjistruar edhe fitoret ndaj Bjellorusisë (2-0) dhe San Marinos (3-0). Humbja e vetme në grup ishte pikërisht ndaj Finlandës.

Në anën tjetër, finlandezët renditen në pozitën e tretë me shtatë pikë, aq sa ka edhe Bjellorusia në vendin e dytë. Ata kanë shënuar nëntë gola dhe kanë pësuar vetëm dy, duke pasur bilancin më të mirë të golave në grup.

Finlanda vjen në Tiranë pas humbjes 1-0 nga Bjellorusia, por më herët kishte triumfuar 2-1 ndaj Shqipërisë në ndeshjen e zhvilluar më 3 tetor.

Në atë takim, Leo Walta shënoi të dy golat për finlandezët, ndërsa Rey Manaj realizoi për kuqezinjtë.

Kjo e bën përballjen e sontme edhe më të rëndësishme për Shqipërinë, e cila kërkon të marrë revanshin për humbjen në takimin e parë.

Një fitore do t’i jepte kuqezinjve 12 pikë dhe do t’i afronte edhe më shumë me objektivin për ta mbyllur grupin në pozitën e parë.

Interesimi për ndeshjen është i madh, pasi të gjitha biletat janë shitur dhe “Air Albania” pritet të jetë i mbushur për këtë duel./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore