Manchester United dhe Manchester City janë duke monitoruar nga afër mbrojtësin e Chelseat, Malo Gusto, pasi klubi londinez i ka vendosur një çmim prej 86 milionë eurosh. Mbrojtësi i djathtë francez, 23-vjeçar, ka humbur vendin në formacionin titullar, duke mbetur prapa Josh Acheampong në hierarkinë e skuadrës që prej marrjes së drejtimit nga trajneri Xabi Alonso.

Sipas talkSPORT, të dy gjigantët nga veriperëndimi i Anglisë po e përcjellin me vëmendje situatën e Gustos, pasi mundësitë e tij për të luajtur janë zvogëluar nën drejtimin e trajnerit të ri spanjoll të Chelseat.


Pavarësisht se kapiteni i klubit, Reece James, vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të lëndimit, ish-mbrojtësi i Lyonit nuk ka startuar në asnjë ndeshje të Ligës Premier që nga 12 shtatori. Në vend të tij, gjithnjë e më shumë hapësira në krahun e djathtë të mbrojtjes ka fituar Josh Acheampong, produkt i akademisë së klubit.

Gusto iu bashkua Chelseat në vitin 2023 nga klubi i tij i fëmijërisë, Lyoni, për një shumë prej rreth 30 milionë eurosh. Më parë, ai ishte një lojtar i rëndësishëm për londinezët, duke regjistruar 144 paraqitje dhe tri gola në të gjitha garat.

Megjithatë, gjatë këtij sezoni, francezi është përfshirë në formacionin titullar në vetëm tri nga shtatë paraqitjet e tij në elitën e futbollit anglez.

Manchester City vazhdon ta vlerësojë profilin e mbrojtësit, por sipas mediumit britanik, mundësia për të realizuar një transferim prej 86 milionë eurosh është e ndërlikuar për shkak të procedurave të vazhdueshme lidhur me çështjet financiare të klubit.

Ndërkohë, Manchester United ndodhet në një periudhë ndryshimesh, pasi raportohet se ka arritur një marrëveshje në parim me përzgjedhësin e Kombëtares së SHBA-së, Mauricio Pochettino, për ta zëvendësuar Michael Carrickun.

Duke pasur parasysh ndryshimet e mundshme në stolin e Unitedit dhe problemet ligjore të Manchester Cityt, ende nuk dihet nëse ndonjëri prej klubeve do të bëjë një ofertë zyrtare për Guston gjatë afatit kalimtar të janarit.

Megjithatë, e ardhmja e mbrojtësit francez pritet të përcillet me vëmendje, sidomos nëse ai vazhdon të mos jetë pjesë e planeve kryesore të Chelseat./Telegrafi/