Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës në orët e para të së enjtes, një ditë pas përfundimit të bisedimeve të paqes dhe pak përpara mbërritjes së të dërguarve amerikanë në Moskë, ku do të takohen me presidentin Vladimir Putin.
Kirill Dmitriev, i dërguari i Putinit, priti negociatorët amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff në aeroportin Vnukovo të Moskës, përpara takimit të tyre me kreun e Kremlinit, i parashikuar të zhvillohet më vonë gjatë ditës.
“Mirëpres Steve dhe Jared në Moskë”, shkroi Dmitriev në rrjetin social X, duke publikuar një fotografi ku shihet duke shtrënguar duart me Witkoff pranë një avioni, në një mëngjes të ftohtë dhe gri dimëror, ndërsa Kushner qëndronte pranë tyre.
Pas largimit nga Moska, negociatorët amerikanë planifikojnë të udhëtojnë drejt Irlandës, ku do të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili pritet të marrë pjesë në një takim të liderëve evropianë.
Me sulmet e saj me raketa balistike, Rusia ka dëmtuar infrastrukturën energjetike në distriktin e Shepetivkës, në rajonin administrativ të Khmelnytskyit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.
“Si pasojë e sulmit rus, infrastruktura energjetike është dëmtuar, duke shkaktuar ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në distriktin e Shepetivkës”, deklaroi Serhii Tiurin, guvernatori i rajonit Khmelnytskyi, në një mesazh të publikuar në Telegram.
Pas sulmit rus, një zjarr shpërtheu gjithashtu në rajonin perëndimor të Ukrainës.
Gjatë natës, Rusia goditi edhe gjashtë nënstacione të rëndësishme elektrike në rajonet Vinnytsia, Kirovohrad, Zhytomyr dhe Cherkasy, duke dëmtuar linjat e energjisë dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në të gjithë vendin.
5 dronë ukrainas të dërguar drejt Moskës u rrëzuan, përfshirë të tjerë në disa rajone të Rusisë.
Ndërkohë, një kolonel i Forcave të Armatosura ruse mbeti i vrarë mëngjesin e sotëm nga shpërthimi i automjetit të tij në Shushary, në periferi jugore të Shën Petërburgut. Një familjar që ndodhej në makinë me të, mbijetoi. Dyshohet se lënda shpërthyese është aktivizuar në distancë.
Deri më tani nuk janë dhënë detaje të tjera mbi identitetin e kolonelit të vrarë këtë mëngjes dhe as mbi autorët e mundshëm të atentatit.
Ukraina do të marrë një paketë të 13-të ndihmash nga Italia. Ditën e djeshme, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Giancarlo Giorgetti, firmosi mbrëmjen e djeshme dekretin ndërministror.






Komente
Komento