Vetëm pak orë pas përfundimit të ditës së dytë të negociatave të paqes, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi, Rusia ka lëshuar raketa balistike drejt kryeqytetit ukrainas gjatë natës së 12 nëntorit.

Rusia ka dëmtuar infrastrukturën energjetike në distriktin e Shepetivkës, në rajonin administrativ të Khmelnytskyit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

“Si pasojë e sulmit rus, infrastruktura energjetike është dëmtuar, duke shkaktuar ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në distriktin e Shepetivkës”, deklaroi Serhii Tiurin, guvernatori i rajonit Khmelnytskyi, në një mesazh të publikuar në Telegram.

Pas sulmit rus, një zjarr shpërtheu gjithashtu në rajonin perëndimor të Ukrainës.

Gjatë natës, Rusia goditi edhe gjashtë nënstacione të rëndësishme elektrike në rajonet Vinnytsia, Kirovohrad, Zhytomyr dhe Cherkasy, duke dëmtuar linjat e energjisë dhe duke ndërprerë furnizimin në të gjithë vendin.

Teksa Rusia vijon operacionet e saj, ndërmjetësit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur në aeroportin Vnukovo të Moskës. Gjatë ditës së sotme ata do të takohen me presidentin Vladimir Putin për të diskutuar ecurinë e negociatave.

Në planin e përgatitjeve, Forcat Raketore Strategjike të Rusisë kanë vendosur një raketë balistike ndërkontinentale RS-24 Yars në një silos lëshimi, në kuadër të programit për modernizimin e arsenalit bërthamor kombëtar.

Raketa RS-24 Yars, e aftë të mbajë koka bërthamore, ka një rreze veprimi maksimale të deklaruar prej 12 mijë kilometrash. Forcat e armatosura ruse kanë rreth 200 raketa të këtij lloji në shërbim operacional.

Ndërkohë, një kolonel i Forcave të Armatosura ruse mbeti i vrarë mëngjesin e sotëm nga shpërthimi i automjetit të tij në Shushary, në periferi jugore të Shën Petërburgut. Një familjar që ndodhej në makinë me të, mbijetoi. Dyshohet se lënda shpërthyese është aktivizuar në distancë.

Deri më tani nuk janë dhënë detaje të tjera mbi identitetin e kolonelit të vrarë këtë mëngjes dhe as mbi autorët e mundshëm të atentatit.

Ukraina do të marrë një paketë të 13-të ndihmash nga Italia. Ditën e djeshme, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Giancarlo Giorgetti, firmosi mbrëmjen e djeshme dekretin ndërministror./Corriere