Dy vartës të biznesmenit Valon Lluka janë arrestuar të mërkurën nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit H.L. dhe T.M., shtetas kosovarë, në cilësinë e drejtorit dhe menaxherit të një kompanie, dyshohet se kanë keqpërdorur 62 mijë e 902 euro nga dy grante, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 575 mijë e 736 euro.
Granti i parë, në vlerë prej 293 mijë e 500 eurosh, dyshohet se është keqpërdorur në shumën prej 23 mijë eurosh. Ndërsa nga granti i dytë, në vlerë prej 282 mijë e 236 eurosh, dyshohet se janë keqpërdorur 39 mijë e 902 euro.
Sipas Policisë, të dyshuarit kanë paraqitur raporte të rreme, duke deklaruar se shpenzimet për blerjen e makinerive ishin realizuar në tërësi, ndonëse një pjesë e mjeteve ishte keqpërdorur.
Policia ka njoftuar se arrestimi i tyre është bërë në vazhdën e hetimeve “për rastin e 4 tetorit 2026”. Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.
Edhe
Valon Lluka ndalohet për 48 orë për disa vepra penale
Pas njoftimit të Policisë ka reaguar biznesmeni Behgjet Pacolli. Ai ka thënë se dy personat e arrestuar janë kanë punuar si vartës të Valon Llukës, në kompaninë “Hirano”, pjesë e Grupit Mabetex, e administruar nga Valon Lluka.
“Valon Lluka këtu, sipas dokumentacionit në dispozicion të prokurorisë, nuk ka dëmtuar vetëm kompaninë ‘Hirano’ në Mitrovicë, aksionarët e saj, por nëpërmjet mashtrimeve kanë vjedhur edhe fondet e Bashkimit Evropian që ishin dedikuar për zhvillimin e kësaj fabrike”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ai ka thënë se këto zhvillime e përforcojnë punën korrekte të organeve të drejtësisë së Kosovës dhe kërkesën e tyre për hetimin e plotë të dyshimeve për keqpërdorimet që kemi denoncuar si ilegale.
“Çdokund, pothuajse ku ka operuar Valon Lluka jemi duke zbuluar parregullsi që i kanë shkaktuar dame kolosale kompanisë tonë e që janë si rezultat i mashtrimeve e hajnisë në kundërshtim të normave të mirësjelljes, edukatës dhe detyrimeve kontraktuale të çdo punëmarrësi”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka thënë se mashtrime tani po zbulohen duke filluar nga “Hirano” në Mitrovicë, kompanitë e Grupit Mabetex ku Valon Lluka ka vepruar e siç ka theksuar, “deri te mashtrimi i tij i famshëm Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës”.
“Aty ku shfaqet emri i Valon Llukës kërkohet sqarim!. Nga drejtësia kërkojmë që roli i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij, si dhe çdo kontratë, transaksion apo vendim i dyshimtë, të hetohen deri në fund. Çdo dëm do të dokumentohet nga drejtësia e cila do të përcakton edhe përgjegjësitë e secilit”, ka shkruar ai.
Lluka u pat arrestuar më 7 tetor dhe dy ditë pas Gjykata Themelore në Prishtinë ia pat caktuar një muaj paraburgim.
Por avokati i tij Driton Muharremi, para dy javësh pati njoftuar se klienti i tij është liruar nga masa e paraburgimit me dorëzani.
Edhe
Arrestohet një person, dyshohet se keqpërdori investimet e dikujt duke e dëmtuar me 500 mijë euro
Valon Lluka, sipas Prokurorisë, dyshohet për mashtrim, shpërdorim të pasurisë së huaj, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe për lidhje të kontratës së dëmshme.
“Ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person me inicialet V.Ll., ne kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, dhe për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme” nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin në fjalë, Prokurori i çështjes në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë, me të cilin u pat njoftuar arrestimi i Llukës.