Vendosni fjalën kyçe....

OpenAI regjistron humbje të mëdha, ndërsa të ardhurat rriten në 10 mld USD


OpenAI rriti të ardhurat me rreth 50%, nga tremujori i dytë në të tretin, duke arritur në 10 miliardë dollarë, por vijoi të raportojë humbje të mëdha operative. Këto rezultate paraqesin një tablo të përzier të përpjekjeve të kompanisë për të kapur rivalin kryesor të industrisë, Anthropic.

Kompania ndau rezultatet e saj më të fundit me investitorët të martën, pikërisht në kohën kur Anthropic po përgatitej për ofertën publike fillestare të aksioneve (IPO), shumë të pritur, javën e ardhshme. Kompania që zhvillon modelin Claude bëri të ditur së fundmi se të ardhurat e saj u rritën në 17 miliardë dollarë në tremujorin e tretë, ndërsa humbja operative për të njëjtën periudhë ishte më e vogël, në 567 milionë dollarë.

Shifrat tregojnë se OpenAI po përshpejton rritjen e të ardhurave, por ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për të arritur rivalin sa i përket shitjeve dhe efikasitetit operacional. Në tremujorin e dytë, kompania kishte shënuar një rritje të të ardhurave prej vetëm 18% krahasuar me tremujorin e parë, raportoi më herët The Wall Street Journal.

Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga The Wall Street Journal, OpenAI u tha investitorëve të martën se marzhi i rregulluar operacional u përmirësua nga minus 150% në minus 109%, nga tremujori i dytë në të tretin. Megjithatë, sipas të njëjtave shifra, humbjet e rregulluara operative të kompanisë u rritën lehtë, nga 10,1 miliardë në 10,9 miliardë dollarë.

Përllogaritjet e humbjeve nuk përfshijnë kompensimin në formën e aksioneve, i cili u rrit në 2,6 miliardë dollarë në tremujorin e tretë, sipas një personi të njohur me çështjen. Ndërsa humbja operative e Anthropic përfshin edhe kompensimin në aksione.

OpenAI po përpiqet me shpejtësi të ngushtojë diferencën me Anthropic në tregun fitimprurës të produkteve të inteligjencës artificiale për ndërmarrjet dhe ka ulur çmimet e modeleve të saj më të fundit, në përpjekje për të rritur pjesën e tregut. Kompania punësoi së fundmi një drejtor të ri të të ardhurave, Dali Rajic, për t’u përqendruar në këtë segment të biznesit, i cili po zë gradualisht një pjesë gjithnjë e më të madhe të shitjeve të përgjithshme të kompanisë.

OpenAI u bëri gjithashtu të ditur investitorëve se numri i përdoruesve me pagesë të ChatGPT ishte rritur në rreth 100 milionë, ose 8,5% e numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë javorë. Kjo përqindje është pak më e lartë se ajo e raportuar nga OpenAI në tremujorin e mëparshëm, çka sugjeron përparim në përpjekjet e kompanisë për të shtuar abonentët me pagesë të chatbot-it më të përdorur në botë nga konsumatorët.

Në fillim të këtij viti, OpenAI nisi gjithashtu shfaqjen e reklamave në ChatGPT, një zhvillim që kompania pret të përmirësojë marzhet e saj. Megjithatë, nuk u arrit të siguroheshin të dhëna mbi rezultatet e këtij segmenti të biznesit.

Kompania po përgatitet të listojë aksionet në bursë vitin e ardhshëm dhe shpreson që vrulli i ri në biznes ta ndihmojë të rimarrë epërsinë në garën e inteligjencës artificiale. Shitjet e Anthropic kaluan ato të OpenAI në fillim të këtij viti, pas suksesit të mjetit të saj për programim, Claude Code. Anthropic ka drejtuar një biznes më efikas se OpenAI, duke arritur madje të regjistrojë një fitim të vogël operacional në tremujorin e dytë.

OpenAI ka një biznes të madh të orientuar drejt konsumatorëve, të cilin duhet ta mbështesë, si dhe mban një sërë programesh kërkimore në fusha që variojnë nga robotika te gjenerimi i imazheve. Ndërsa Anthropic ka ndjekur një qasje më të përqendruar te zhvillimi i produkteve për ndërmarrjet, por si rezultat, të ardhurat e saj janë më të përqendruara te këta klientë.

Të dhënat nga palë të treta treguan se OpenAI e ngushtoi diferencën me Anthropic në tremujorin e tretë, pasi disa biznese nisën të kërkonin alternativa më ekonomike ndaj Claude.

Në konferencën WSJ Tech, të mbajtur në Napa Valley në fillim të këtij muaji, presidenti i OpenAI, Greg Brockman, tha se dy tremujorët e parë të vitit kishin qenë të vështirë, por se tremujori i tretë kishte sjellë një “përshpejtim të jashtëzakonshëm të të ardhurave”. Ai përmendi gjithashtu një partneritet të ri me JPMorgan Chase.

Në tremujorin e tretë të vitit 2025, OpenAI raportoi shitje prej 3,9 miliardë dollarësh dhe një marzh operacional prej minus 97%, sipas dokumenteve.

Ashtu si Anthropic, OpenAI është prekur nga shitjet masive të fundit të aksioneve të kompanive të teknologjisë. Në raundin e saj më të fundit të financimit, kompania që krijoi ChatGPT siguroi më pak se gjysmën e objektivit fillestar prej 30 miliardë dollarësh, megjithëse vijon të kërkojë investitorë të rinj për të plotësuar shumën e synuar.

Nga ana e saj, Anthropic synon një vlerësim prej 1,33 trilionë dollarësh në ofertën publike të aksioneve, raportoi The Wall Street Journal, një shifër më e ulët se vlerësimi prej rreth 2 trilionë dollarësh që ishte përmendur disa muaj më parë.