Harry Kane, përpara një tjetër mbrëmje historike tregon për ëndrrën e madhe të tij
Kuqezinjtë kërkojnë revanshin ndaj finlandezëve dhe tri pikët në “Arenën Kombëtare”. Berisha rikthehet mes shtyllave, treshja e mbrojtjes duket e përcaktuar, ndërsa në ofensivë pritet një kombinim me Laçin, Muçin dhe Manajn.
Kombëtarja shqiptare duket se i ka dhënë formën përfundimtare skuadrës që do të zbresë në fushë të enjten kundër Finlandës. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme të Ligës së Kombeve, trajneri Rolando Maran nuk pritet të bëjë eksperimente, por t’i besojë një formacioni që ka fituar gjithnjë e më shumë stabilitet gjatë ditëve të përgatitjes.
Në portë pritet të rikthehet Etrit Berisha, ndërsa para tij do të vendoset treshja e mbrojtjes me Mario Mitajn, Berat Gjimshitin dhe Ardian Ismajlin. Në krahë, Elseid Hysaj dhe Stavro Pilo do të kenë përgjegjësi të dyfishta, si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në daljet përpara.
Në mesin e fushës, Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani pritet të formojnë dyshen që do të kujdeset për organizimin dhe ekuilibrin e lojës. Ky është një nga repartet ku Maran duket se ka më pak dilema, ndërsa alternativa e Juljan Shehut mbetet në dispozicion në rast ndryshimi të planit.
Në sulm, Rey Manaj pritet të jetë pika e referimit, me Ernest Muçin dhe Qazim Laçin që do të luajnë pas tij, duke i dhënë skuadrës më shumë mundësi për të krijuar rrezik në zonën kundërshtare. Megjithatë, Arbër Hoxha mbetet një alternativë për këtë repart, në varësi të vendimit përfundimtar të trajnerit. Edhe pse skema mund të lexohet si 3-4-3, pozicionimi i Laçit dhe Muçit pas Manajt e bën 3-4-2-1 një interpretim të natyrshëm të rreshtimit që pritet të përdorë tekniku italian.
Në konferencën për shtyp, Maran dha sinjale për një Shqipëri që do të kërkojë të sulmojë dhe të shënojë, duke theksuar se dëshiron t’ua shpërblejë tifozëve mbështetjen me një paraqitje të mirë. Ndërkohë, Ardian Ismajli nënvizoi se kuqezinjtë duhet të jenë më të kujdesshëm në goditjet standarde, pasi pikërisht në këto situata pësuan dy golat në Helsinki. Shqipëria vjen në këtë përballje me 9 pikë, dy më shumë se Finlanda dhe Bjellorusia. Një fitore ndaj nordikëve do të ishte një hap shumë i rëndësishëm drejt sigurimit të vendit të parë në grupin C1.
Ndeshja Shqipëri–Finlandë do të luhet të enjten, më 12 nëntor, në orën 20:45, në “Arenën Kombëtare”, me transmetim të drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht në Digitalb.
Top Channel