
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, të cilët vitin e ardhshëm do të marrin kontrollin e komisioneve kryesore, po përgatitin hetime lidhur me atë që ata e cilësojnë si politizim dhe dobësim të agjencive amerikane të inteligjencës nga presidenti Donald Trump, përfshirë edhe mundësinë që analistët të kenë ushtruar vetëcensurë për të shmangur hakmarrjen.
“Ka prova të pakundërshtueshme se analistët hezitojnë të hartojnë raporte për tema që mendojnë se mund të jenë të diskutueshme. Ka gjithashtu prova të qarta për rënien e moralit në komunitetin e analistëve, për shkak të presioneve ndaj të cilave ata janë të ekspozuar”, tha të martën për Reuters kongresmeni demokrat nga Connecticut, Jim Himes, i cili në janar do të marrë drejtimin e Komisionit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, shkruan Reuters.
Gjatë dy viteve të para të mandatit të dytë të Trump, Kongresi i kontrolluar nga republikanët ka ushtruar pak mbikëqyrje mbi gjendjen e komunitetit amerikan të inteligjencës. Gjatë kësaj periudhe, administrata ka shkarkuar ose detyruar të largohen qindra punonjës dhe ka ndërprerë procesin e hartimit të analizave për çështje të rëndësishme, përfshirë Iranin.
Himes tha se kjo situatë do të ndryshojë pasi ai të marrë drejtimin e komisionit në janar, kur demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, pas fitores së tyre në zgjedhjet afatmesme të 3 nëntorit.
Ai nuk dha detaje se si do të zhvillohen hetimet, por tha se një nga objektivat do të jenë shkarkimet që i cilësoi si hakmarrëse.
“Ne do të tregojmë historinë e patriotëve që u shkarkuan sepse thanë diçka që nuk përputhej me atë që presidenti dëshironte të ishte e vërtetë”, tha Himes.
Ish-drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, shkurtoi vitin e kaluar me rreth 40% personelin e agjencisë së saj. Ndërsa drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, u zotua publikisht të reduktonte fuqinë punëtore të institucionit me më shumë se 1.000 pozicione gjatë disa viteve. Të dy ofruan programe dorëheqjeje të shtyrë, të cilat u garantonin pagën dhe përfitimet punonjësve që zgjidhnin të largoheshin.
Shkurtimet përfshinë edhe shkarkimin e analistëve dhe oficerëve me përvojë shumëvjeçare nga poste të larta, përfshirë pozicione në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës, strukturën analitike që mbikëqyret nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.
Të paktën dy prej personave të shkarkuar ishin analistë të përfshirë në një vlerësim që binte ndesh me politikën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë për Venezuelën.
Reduktimet janë parë brenda agjencive të inteligjencës si vazhdim i fushatës së Trump kundër asaj që ai e ka quajtur “shteti i thellë” (deep state). Kritikët thonë se kjo fushatë ka privuar komunitetin e inteligjencës nga përvoja dhe ekspertiza.
Reuters kishte raportuar më parë se disa projekte të Gabbard-it, të lidhura me Grupin e Iniciativave të Drejtorit, një task-forcë që rishqyrtoi zgjedhjet e vitit 2020 dhe origjinën e COVID-19, krijuan tensione brenda komunitetit të inteligjencës.
PËRÇARJE NË SHKËMBIMIN E INFORMACIONIT TË INTELIGJENCËS
Kjo ishte veçanërisht e dukshme pasi zyra e Gabbard-it u hoqi një vit më parë autorizimet e sigurisë zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve të inteligjencës.
Veprimet e Gabbard-it shkaktuan një ndërprerje të shkëmbimit të informacionit dhe të bashkëpunimit brenda komunitetit të inteligjencës, si dhe me Kongresin, raportoi më parë Reuters.
“Në momentin që komuniteti i inteligjencës pushon së thëni të vërtetën udhëheqësve kombëtarë, përfundon në një luftë si ajo e Irakut, e nisur mbi pretendimin se ekzistonin armë të shkatërrimit në masë, të cilat në të vërtetë nuk ekzistonin”, tha Himes.
Himes deklaroi se kishte shqyrtuar një anketë të komunitetit të inteligjencës, të parashikuar me ligj, e cila tregonte se gjatë vitit 2025 punonjësit kishin filluar të “ndienin një presion politik shumë real”.
Ai shtoi se po punonte për të bërë publike dokumente të tjera të brendshme të komunitetit të inteligjencës, të cilat mund të nxirrnin në pah pasojat e shkarkimeve dhe politizimit.
Sipas Himes, komisioni do të hetojë gjithashtu marrëdhëniet e administratës me kompanitë që kontraktohen nga sektori i mbrojtjes dhe i inteligjencës, si dhe operacionet sekrete të SHBA-së jashtë vendit.