Gjykata Penale e Kajros ka përfshirë 35 organizata dhe 36 individë në listat kombëtare të terrorizmit në Egjipt, për një periudhë pesëvjeçare. Në mesin e subjekteve të përfshira në këtë vendim rezultojnë edhe tre organizata të lidhura me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas agjencisë egjiptiane të lajmeve MENA, në listë figuron shoqata kulturore “Al-Mustaqbal” nga Shqipëria, Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Arsim nga Kosova, si dhe organizata “Tajammu al-Shabab al-Islami”, e përkthyer si “Shoqata Rinore Islame”, nga Maqedonia e Veriut. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar përfundimisht nëse emërtimi i përdorur në vendimin egjiptian i referohet të njëjtit subjekt juridik. Në raportimet për këtë çështje është përmendur edhe emri i Muhamet Murtezit, kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit dhe përfaqësues i koalicionit VLEN Lista e publikuar nga autoritetet egjiptiane përfshin edhe organizata të tjera ndërkombëtare. Vendimi është marrë më 10 nëntor 2026 dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Egjiptit. Sipas legjislacionit egjiptian, përfshirja në listat e terrorizmit shoqërohet me masa si ngrirja e aseteve, kufizimi i financimit dhe ndalimi i aktiviteteve të subjekteve të listuara. Megjithatë, vendimi i autoriteteve egjiptiane nuk përbën automatikisht një përcaktim ligjor të statusit të këtyre organizatave në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo në shtetet e tjera ku ato ushtrojnë aktivitetin e tyre.