Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dublin të Irlandës me ftesë të Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), ku mbajti një fjalë para ekspertësh të çështjeve europiane dhe të Ballkanit dhe përfaqësuesish të trupit diplomatik. Ai vërejti një ndryshim në gjuhën e raportit të Komisionit Evropian, duke theksuar se për herë të parë raporti nuk e përshkruan korrupsionin si “gjerësisht të përhapur”, por shpreh se korrupsioni mbetet shqetësim, gjë që sipas tij tregon përparim real.
Rama adresoi edhe çështje historike dhe reformën e drejtësisë. Ai deklaroi se që nga shpallja e pavarësisë në 1912 nuk ka pasur raste kur një person me pushtet të jetë gjykuar nga një gjyqtar i pavarur, duke shtuar se gjatë periudhës demokratike vendi nuk ka pasur një gjyqësor të pavarur. Sipas tij, reforma e drejtësisë ka shërbyer për të larguar ndikimin politik mbi institucioneve gjyqësore dhe po lejon tani që sistemi i ri i drejtësisë të hetojë dhe të ndjekë figura të mëdha të pushtetit politik.
Kryeministri pranoi se procesi është i vështirë dhe përballet me sfida, duke përmendur se “shpata e drejtësisë po kërkon kokat e mëdha në pushtetin politik” dhe se është normale të ketë tejkalime gjyqësore dhe probleme të ngjashme, të cilat ai i përshkroi si pjesë të procesit. Ai theksoi nevojën për të vijuar përpara dhe deklaroi se nuk ka më mbrojtje për askënd që del përpara drejtësisë.
Për marrëdhëniet me Greqinë, Rama tha se ato janë të shkëlqyera, por si fqinjë ekzistojnë diskutime dhe debate, duke përmendur një çështje të pazgjidhur për kufirin detar. Ai bëri me dije se palët bien dakord për t’u drejtuar një gjykate ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes nga një palë e tretë. Në fjalimin e tij ai gjithashtu vuri re se partitë tradicionale po përballen me pyetjen nëse duhet të punojnë me forca ekstreme.
