Bashkëpunëtori i Lartë në Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Politikës Ndërkombëtare në Qendrën për Progresin Amerikan në Uashington, Luke Zahner, ka paralajmëruar se ndikimi i Rusisë në Serbi nuk do të zhduket me largimin e Aleksandar Vuçiqit nga pushteti, ndërsa ka theksuar se ndryshimi i udhëheqjes politike nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe transformimin e sistemit.

Në një intervistë për Telegrafin, Zahner ka thënë se Moska ka ndërtuar rrjete të konsoliduara politike, ekonomike, energjetike, kulturore dhe informative në Serbi, të cilat mund t'i mbijetojnë edhe një ndryshimi të pushtetit në Beograd.


"Ndikimi i Rusisë në Serbi shkon shumë përtej marrëdhënies së saj me Aleksandar Vuçiqin. Ai ka rrënjë të thella në rrjetet politike, ekonomike, energjetike, kulturore, informative dhe në fusha të tjera, shumë prej të cilave do t'i mbijetojnë këtij ndryshimi të qeverisë", ka deklaruar Zahner.

Sipas tij, nuk është realiste të pritet që ndikimi i Moskës të zhduket brenda natës, pavarësisht ndryshimeve eventuale në udhëheqjen politike të Serbisë.

Zahner ka vlerësuar se një qeveri e re do të ketë mundësinë të rishikojë raportet me Rusinë dhe të zvogëlojë varësinë strategjike nga Moska, veçanërisht nëse synon seriozisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ai ka përmendur varësinë energjetike, qëndrimin ndaj sanksioneve dhe ndikimin rus në hapësirën informative si disa prej çështjeve ku Beogradi duhet të marrë vendime të rëndësishme.

Në këtë kontekst, ish-diplomati amerikan ka theksuar se Serbia nuk mund të vazhdojë pafundësisht të ndjekë integrimin evropian, ndërkohë që ruan afërsinë strategjike me Moskën.

Duke komentuar zhvillimet e brendshme politike në Serbi dhe rolin e lëvizjes studentore, Zahner ka shprehur optimizëm të kujdesshëm për mundësinë e një transformimi demokratik, por ka paralajmëruar se largimi i një partie nga pushteti nuk garanton ndryshimin e sistemit politik.

Ai ka vlerësuar se lëvizja studentore ka arritur të ndryshojë debatin politik në Serbi, duke mobilizuar qytetarë nga prejardhje të ndryshme rreth kërkesave për luftimin e korrupsionit, llogaridhënien dhe sundimin e ligjit.

Sipas Zahnerit, kjo është diçka që opozita tradicionale serbe nuk kishte arritur ta bënte për vite me radhë.

"Lëvizja studentore ka arritur diçka që opozita tradicionale e Serbisë e kishte pasur të vështirë dhe kishte dështuar ta bënte për vite me radhë: e ndryshoi debatin politik", ka thënë ai.

Megjithatë, Zahner ka tërhequr një paralele me periudhën pas rrëzimit të Slobodan Millosheviqit në vitin 2000, kur pritjet e mëdha për ndryshim demokratik u përballën me rrjete të konsoliduara politike, dobësi institucionale dhe forca regresive.

"Mposhtja e një partie të konsoliduar në pushtet nuk është e njëjta gjë me transformimin e sistemit politik", ka theksuar ai.

Sipas tij, sfida kryesore për udhëheqjen e re do të jetë që ndryshimi të mos kufizohet vetëm në zëvendësimin e një grupi politikanësh me një tjetër.

"Diversiteti politik i lëvizjes studentore mund të jetë njëkohësisht forcë dhe sfidë, pasi pajtimi për reformat demokratike nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim për politikat ekonomike, marrëdhëniet me jashtë apo çështjen e Kosovës", u shpreh Zahner.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU.