Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Dublin të Irlandës, ku ishte i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA). Përpara ekspertëve të çështjeve europiane e ballkanike dhe anëtarëve të trupit diplomatik, ai foli për perspektivën europiane të Shqipërisë.
Takimi u zhvillua nën temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, ndërsa diskutimi u përqendrua te procesi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Të lidhura
None found
Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një pikë vendimtare të rrugëtimit të saj europian. Ai tha se vendi nuk ka pasur më parë një mundësi kaq konkrete për t’iu bashkuar familjes europiane dhe se duhet shfrytëzuar kjo periudhë.
“Ekipi më kërkoi të zgjohesha në 6 të mëngjesit për të lënë Parisin dhe të mbërrij këtu për këtë bisedë. Mendoj ta bëjmë më pyetje dhe përgjigje, sepse mund të flas shumë gjatë. Jemi në një moment shumë përcaktues, sepse shohim jo vetëm horizontin, por edhe një derë të hapur si një mundësi reale për tu bërë pjesë e familjes europiane. Është moment kulminant, që nuk ka ekzistuar deri pak më parë. Gjërat që dukeshin të pamundura, ngjan se janë të mundura. Do ta kapim këtë moment dhe do të mund të kapërcejmë më në fund kufirin që na ka ndarë nga Europa prej shumë kohësh”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, kjo situatë kërkon angazhim maksimal nga Shqipëria për të përmbushur pritshmëritë e vendeve anëtare. Rama nënvizoi se procesi europian ka një mekanizëm kompleks vendimmarrjeje, ku nevojiten 27 vota, ndërsa përmendi edhe rastin e Francës, ku kërkohet miratimi i 2/3-tave të votave të parlamentit. “Sot për sot jemi në rrugë të mbarë dhe çdo gjë po shkon sipas rregullave. Jemi dakord edhe me KE për këtë”, tha ai.
I pyetur nëse përfundimi i negociatave deri në vitin 2027 është një objektiv realist dhe si e vlerëson integrimin gradual, Rama tha se edhe Komisioni Europian e konsideron fundin e vitit 2027 ambicioz, por të arritshëm.
“Integrimi gradual është diçka për të cilën unë vetë kam luftuar për kohë të gjatë para se një gjë e tillë të merrte formë. Jo vetëm, por edhe me kolegë të tjerë për t’i dhënë kuptim procesit të bazuar në meritë. Hendeku mes kandidatëve dhe anëtarëve sa i takon financave, ekonomisë dhe elementeve të tjera, hendeku bëhet gjithnjë e më i madh. Pranimi në mënyrë graduale është qasja e duhur. Plani i rritjes është pjesë e kësaj qasjeje”, deklaroi kryeministri.
Duke folur për zgjedhjet në Serbi dhe mundësinë e krijimit të një dinamike të re në rajon, Rama tha se Komisioni Europian ka pasur vështirësi me qeverinë e mëparshme serbe, veçanërisht për çështjet që lidhen me shtetin e së drejtës dhe kërkesa të tjera themelore.
Ai shtoi se është ende herët për të dhënë një vlerësim të saktë për zhvillimet e ardhshme, pasi Serbia po kalon një “eksperiment social” përmes të ashtuquajturës Listë Studentore. Sipas Ramës, kjo përbën një zhvillim të ri në disa aspekte.
“Por aq sa na takon ne shqiptarëve, duket se nuk ka ndonjë hapje sa i takon normalizimit me Kosovën, hapje për sanksionet me Rusinë apo ato që janë konsideruar si mbyllje me qeverinë e shkuar. Është ende herët. Nëse nuk ka normalizim me Kosovën, fantazma e së shkuarës do të vazhdojë ta ndjekë Beogradin”, tha Rama.
Lidhur me emigracionin dhe largimin e shumë shqiptarëve, kryeministri argumentoi se migracioni dikur shihej nga qytetarët si e vetmja mundësi për një të ardhme më të mirë. Ai e krahasoi këtë realitet me përvojën e irlandezëve, për të cilët largimi kishte qenë gjithashtu një zgjedhje e rëndësishme në të kaluarën.
Rama tha se situata filloi të ndryshojë në Irlandë kur njerëzit patën mundësinë të zgjidhnin mes qëndrimit dhe emigrimit, ndërsa sipas tij një moment i ngjashëm do të mbërrijë edhe për Shqipërinë.
“Është një botë e re që të rinjve ju shkon përmes ekraneve të smartfoneve me ngjyra të bukura. Është e vështirë për të rinj që jetojnë në malësi të vendosin mes një të ardhmeje 1 orë larg, sesa të presë 10 vite. Shqiptarët kanë qenë gjithnjë njerëz që lëvizin dhe për gjysmë shekulli nuk na lejonin të lëviznim, edhe kjo duhet konsideruar”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se një pjesë e shqiptarëve po rikthehen në vend dhe se ekuilibri do të arrihet kur Shqipëria t’u ofrojë qytetarëve kushte të përafërta me mesataren e Bashkimit Europian.








