Procesi i integrimit, Edi Rama nga Dublini: Fundi i 2027-s, ambicioz, por i mundur. Jemi në një moment kulmor

Kryeministri Edi Rama e cilësoi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si një moment kthese për të ardhmen e vendit. Duke folur në Dublin të Irlandës me ftesë nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA) në diskutimin me temë “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, Rama shpjegoi se procesi i integrimit shihet si një mundësi reale të vërtetë për të kaluar përtej, për t’u bërë pjesë e kësaj familje evropiane,”
“Po, jemi në një moment tejet përcaktues të historisë sonë, do thosha, sepse shohim jo vetëm horizontin, që ka qenë kështu gjithmonë, por shohim edhe një derë të hapur si një mundësi reale të vërtetë për të kaluar përtej, për t’u bërë pjesë e kësaj familje evropiane,” deklaroi Rama. “Është një moment kulmor që nuk ka ekzistuar deri jo shumë kohë më parë, dhe është shndërruar në një moment kulmor në të cilin gjërat që dukeshin të pamundura ngjajnë se janë të mundura. Dhe shpresoj që do ta kapim këtë moment dhe do të mundemi që të kapërcejmë më në fund kufirin që na kanë ndarë nga Europa për shumë e shumë kohë, më në fund të bëhemi pjesë e kësaj familjeje“, tha Rama.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë ndau vlerësimin mbi mobilizimin që kërkohet nga pala shqiptare, si dhe sfidat që lidhen me arkitekturën vendimmarrëse të vetë bllokut europian.
“Kjo është pak a shumë situata siç e shoh unë. Është situatë me një moment kulmor në të cilën nga ana jonë duhet të bëjmë maksimumin që të përmbushim pritshmëritë e palës tjetër. E sigurisht që Europa ka një proces të ndërlikuar vendimmarrjeje. Duhen 27 vende, dhe aty ka vende si Franca ku ratifikimi i traktatit të anëtarësimit për anëtarët e rinj duhet të marrë 2/3 e parlamentit, apo të kalojë përmes referendumit e tjerë e tjerë,” u shpreh ai, ndërsa konfirmoi dakordësinë e plotë me strukturat e Brukselit për afatet kohore.
“Megjithatë, ajo çfarë është më e rëndësishme është që t’ia dalim me sukses të mbyllim kapitujt, e të përmbyllim me sukses negociatat. Më duhet të them që sot për sot jemi në rrugë të mbarë dhe çdo gjë po ecën sipas rregullave dhe jemi edhe dakord me komisionin për këtë,” nënvizoi kryeministri, duke shtuar lidhur me objektivin kryesor: “Komisioni është i të njëjtit mendim që fundi i 2027-ës është ambicioz, por i mundur. Ndaj do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta realizuar në fund të 2027-ës.”
Rama u ndal te domosdoshmëria e një qasjeje pragmatike për afrimin e vendeve kandidate me BE-në përpara anëtarësimit të plotë, duke vlerësuar rolin e Planit të Rritjes.
“Nga ana tjetër, integrimi gradual është diçka për të cilën unë vetë kam luftuar për një kohë të gjatë, para se sa një gjë e tillë të merrte formë, natyrisht jo i vetëm, por edhe me kolegë të tjerë për të për t’i dhënë ca kuptim të gjithë procesit, sepse duhet që vendet të kalojnë përmes procesit bazuar në meritë, të bëjnë punën e tyre, por ndërkohë hendeku midis vendeve kandidate dhe vendeve anëtare, sa i takon financave, ekonomisë, integrimit në tregun e përbashkët etj. etj., bëhet gjithmonë e më i madh, apo më i madh,” tha ai. “Pra, për të kaluar nga një situatë gjithçka ose asgjë, në një situatë ku vendet pranohen, merren në mënyrë graduale, është qasja e duhur dhe është materializuar plani i rritjes. Plani i rritjes është pjesë e kësaj qasjeje, dhe unë besoj se mund e duhet bërë edhe më shumë, por është më mirë se më përpara, ku nuk kishte asgjë, përveç se detyra shtëpie pa asnjë stimul”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



