Shqipëria ka shprehur solidaritet me Francën pas sulmeve kibernetike të cilat, sipas autoriteteve franceze, lidhen me një njësi ofensive kibernetike të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, kujtoi se edhe Shqipëria ishte objektiv i operacioneve të ngjashme në vitin 2022.
Përmes një reagimi, Hoxha theksoi se vendi ynë e njeh nga përvoja kërcënimin që paraqesin sulmet kibernetike të mbështetura nga shtete.
“Shqipëria e di shumë mirë, nga përvoja e saj, se me çfarë po përballet sot Franca. Në vitin 2022, vendi ynë u bë vetë objektiv i operacioneve kibernetike brutale dhe shkatërruese, të ndërmarra nga aktorë shtetërorë iranianë”, shkroi ministri.
Ai paralajmëroi se sulmet kibernetike të sponsorizuara ose të mbështetura nga shtete nuk duhet të normalizohen apo të tolerohen, ndërsa autorët duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Një sulm ndaj infrastrukturës kritike është një sulm ndaj vetë funksionimit dhe sigurisë së një shoqërie, pavarësisht nëse kryhet me eksploziv apo me një kod keqdashës”, nënvizoi Hoxha.
Në reagimin e tij, ministri bëri thirrje për një qëndrim të përbashkët evropian përballë kërcënimeve të tilla, duke kërkuar forcimin e mbrojtjes dhe qëndrueshmërisë kolektive.
“Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar, të forcojë qëndrueshmërinë e saj kolektive dhe të sigurojë që përgjegjësit për akte të tilla të japin llogari”, përfundoi Hoxha.


