Një kërcënim që deri vonë mund të dukej si pjesë e një skenari fantastiko-shkencor është bërë realitet në Evropë. Hakerat kanë depërtuar në sistemet e ftohjes së qindra dyqaneve, duke shkaktuar zjarre dhe dëme ekonomike që arrijnë në miliona euro.
Një investigim i publikuar nga Al Jazeera tregon se sistemet e frigoriferëve në supermarkete janë sulmuar dy herë brenda një periudhe më të shkurtër se një muaj. Rasti ka ngritur pikëpyetje të forta për sigurinë e pajisjeve të lidhura në internet.
Të lidhura
None found
Ngjarjet tregojnë se sulmet kibernetike nuk përqendrohen më vetëm te kompjuterët, telefonat apo institucionet financiare. Pajisje të zakonshme si frigoriferët inteligjentë, televizorët dhe fshesat robotike mund të përdoren si porta hyrëse për ndërhyrje më të mëdha.
Më 11 dhe 12 tetor, sulmuesit morën kontrollin e sistemeve të ftohjes në rreth 700 dyqane në Francë. Temperatura e pajisjeve u ngrit deri në 50 gradë Celsius, çka solli dëmtimin e produkteve ushqimore dhe shkaktoi zjarre në disa prej supermarketeve.
Një tjetër valë sulmesh të dyshuara kibernetike u evidentua më 2 nëntor. Këtë herë u prekën supermarkete dhe biznese ushqimore në të paktën nëntë shtete evropiane: Belgjikë, Estoni, Finlandë, Irlandë, Itali, Luksemburg, Holandë, Portugali dhe Suedi.
Autoritetet franceze e kanë lidhur sulmin e parë me njësinë kibernetike Shahid Kaveh, e cila lidhet me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit. Për autorët e sulmit të dytë ende nuk ka një identifikim zyrtar.
Në shumë supermarkete, pajisjet ftohëse administrohen nga një panel qendror kontrolli. Ky panel është i lidhur me internetin për t’u dhënë teknikëve dhe kompanive të mirëmbajtjes mundësinë që t’i menaxhojnë sistemet në distancë.
Kjo pikë lidhjeje me internetin u shfrytëzua nga sulmuesit për të ndërhyrë në funksionimin e pajisjeve.
Vincent Strubel, drejtues i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Francës, ANSSI, tha se sulmet u lehtësuan nga disa mangësi themelore të mbrojtjes.
Pajisjet ishin të aksesueshme drejtpërdrejt nga interneti dhe nuk kishin masa shtesë sigurie. Në disa raste përdoreshin fjalëkalime të dobëta ose kredenciale të vendosura që në fabrikë, ndërsa një pjesë e sistemeve ishin modele të vjetra që nuk merrnin më përditësime sigurie.
Pas hyrjes në rrjet, hakerat mund të ndryshonin temperaturën, të fiknin frigoriferët ose të ndikonin në funksionimin e tyre. Në Francë, ata përdorën funksionin e shkrirjes së akullit për ta rritur temperaturën e pajisjeve.
Rreziku bëhet edhe më i madh sepse të njëjtat lloje teknologjish përdoren në fusha ku pasojat e një ndërhyrjeje mund të jenë shumë më të rënda.
Gjatë një seance dëgjimore në Senatin francez më 21 tetor, drejtuesi i ANSSI-së paralajmëroi se pajisje të ngjashme gjenden në spitale, farmaci dhe laboratorë kërkimorë, ku shërbejnë për ruajtjen e vaksinave dhe materialeve të rrezikshme.
Një sulm ndaj këtyre sistemeve do të mund të shkaktonte pasoja shumë më serioze sesa prishja e ushqimeve në një supermarket.
Sipas Al Jazeera, dobësi të ngjashme mund të shfrytëzohen edhe kundër infrastrukturës kritike, duke përfshirë centralet elektrike, sistemet e furnizimit me ujë, bankat dhe spitalet.
Në korrik, një sulm kibernetik në Minesota të SHBA-së vuri në shënjestër më shumë se 30 sisteme komunitare të furnizimit me ujë. Po gjatë atij muaji, një central i vogël elektrik në Britani u detyrua të ndalonte funksionimin për katër ditë pas një sulmi që iu atribuua hakerëve të lidhur me Iranin.

Problemi nuk kufizohet vetëm te kompanitë dhe institucionet. Pajisjet inteligjente të përdorura çdo ditë në shtëpi mund të bëhen po ashtu objekt sulmi.
Të dhënat e cituara nga Al Jazeera tregojnë se në mbarë botën janë rreth 21 miliardë pajisje që lidhen përmes rrjeteve me rreze të shkurtër dhe 5.4 miliardë pajisje që komunikojnë në distancë.
Routerët mund të manipulohen për t’i çuar përdoruesit drejt faqeve të rreme dhe për t’u vjedhur fjalëkalimet.

Aplikacionet e caktuara në televizorët inteligjentë mund të përdoren në mënyrë të fshehtë për të shfrytëzuar lidhjen e internetit të familjes.
Dobësitë e fshesave robotike mund të ekspozojnë kamerat, mikrofonat dhe hartat e ambienteve të brendshme të banesave.

Ndërhyrja në frigoriferët inteligjentë mund të prishë funksionimin e tyre dhe të krijojë rrezik edhe për rrjetin ku janë të lidhur.
Gjatë këtij viti është raportuar edhe një rast tjetër, ku një programues mori kontrollin e afro 7,000 fshesave robotike DJI Romo. Përmes tyre, ai mund të shihte pamjet e kamerave, të dëgjonte audion dhe të aksesonte hartat e shtëpive.

Ekspertët këshillojnë që fjalëkalimet e paracaktuara të zëvendësohen me kombinime të vështira dhe të veçanta.
Pajisjet dhe aplikacionet duhet të përditësohen rregullisht, ndërsa funksionet e panevojshme, veçanërisht aksesi në distancë, duhet të çaktivizohen.

Pajisjet e vjetra që nuk marrin më përditësime sigurie nuk duhet të lihen të lidhura me rrjetin. Po ashtu, routeri duhet të mbrohet dhe të aktivizohen të gjitha mekanizmat e disponueshëm të sigurisë.
Awais Rashid, profesor i sigurisë kibernetike në Universitetin e Bristolit, paralajmëron se rritja e digjitalizimit të infrastrukturës shoqërohet me një rrezik gjithnjë e më të madh për ndërprerje të shkaktuara nga sulmet kibernetike.




