Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Paris me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ku në fokus të diskutimeve ka qenë procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, me theks te njohja reciproke.
Takimi u zhvillua në margjinat e Forumit të Paqes në Paris. Përmes një reagimi në platformën “X”, Kurti bëri të ditur se me përfaqësuesin e BE-së ka diskutuar edhe për stabilitetin institucional të Kosovës pas zgjedhjes së presidentit, si dhe për procesin e integrimit evropian të vendit.
“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, shkroi Kurti.
Edhe emisari Sorensen konfirmoi takimin, duke e cilësuar diskutimin si të frytshëm. Ai theksoi se palët kanë biseduar për hapat e mëtejshëm në dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështjet që lidhen me procesin e normalizimit.
Gjatë qëndrimit në Paris, Kurti ka përsëritur edhe qëndrimin e tij se pret që udhëheqja e re në Serbi të njohë realitetin e Kosovës si shtet të pavarur dhe të ndalë fushatën kundër njohjes së saj ndërkombëtare.
Në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, kryeministri i Kosovës ka komentuar gjithashtu zhvillimet politike në Serbi, duke shprehur atë që e cilësoi si “optimizëm pragmatik” pas fitores së Listës Studentore në zgjedhje.
