Një tjetër hap në rrugën e gjatë të rikuperimit ka përfunduar për Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin e dëmtuar rëndë në sy gjatë protestave në Tiranë. Ai ka kaluar me sukses ndërhyrjen e dytë kirurgjikale në një spital në Itali, ku po merr kujdes të specializuar.
Por trajtimi nuk ka përfunduar. Javën e ardhshme, 28-vjeçari do t’i nënshtrohet një tjetër operacioni, nga i cili pritet të varet edhe ecuria e përpjekjeve për të rikthyer shikimin.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Vishkulli ka ndarë lajmin për përfundimin me sukses të ndërhyrjes, duke shprehur shpresën se operacioni i radhës do t’i japë mundësinë të shohë sërish.
Ai ka falënderuar të gjithë personat që i kanë qëndruar pranë dhe e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë, duke theksuar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga beteja për shëndetin e tij.
Plagosja e Vishkullit ndodhi gjatë protestave në Tiranë, ndërsa që prej asaj kohe ai po përballet me një proces të vështirë trajtimi për dëmtimin e syrit.













