Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është takuar këtë të mërkurë me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, me të cilën ka diskutuar mbi zhvillimet politike në vend dhe kërkesën për ndryshim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehaj bëri të ditur se gjatë takimit i ka përcjellë diplomates europiane qëndrimin e tij se Shqipëria ndodhet përballë një ndryshimi historik, i cili, sipas tij, nuk mund të ndalet nga marrëveshjet politike apo presioni ndaj qytetarëve.
“Shqipëria është përballë një ndryshimi historik, thirrjes masive të shoqërisë për largimin e klasës së vjetër politike 35-vjeçare dhe daljes së të korruptuarve para drejtësisë. Ky ndryshim nuk ndalet! Këtë i thamë sot ambasadores së BE-së në Tiranë, zonjës Sofia Moreira de Sousa”, u shpreh Shehaj.
Kreu i Partisë Mundësia akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të pengojë protestat qytetare dhe të ushtrojë presion mbi drejtësinë. Ai theksoi se, sipas tij, as dhuna ndaj protestuesve dhe as marrëveshjet politike nuk mund ta ndalin kërkesën për ndryshim.
Shehaj përjashtoi gjithashtu çdo mundësi dialogu apo marrëveshjeje politike me kryeministrin, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e tij.
“Edi Rama nuk e ndal dot këtë ndryshim, as me dhunë ndaj protestuesve, as me tentativat e tij për të kapur drejtësinë, as me pazare. Me Edi Ramën s’ka tryeza, s’ka marrëveshje, s’ka pazare. Ka vetëm një kërkesë: Dorëheqje!”, deklaroi Shehaj.
Në takimin me ambasadoren e BE-së, kreu i Partisë Mundësia shoqërohej nga deputeti Erald Kapri dhe sekretarja e përgjithshme e kësaj force politike, Barbara Doda.
