Senatorja amerikane Jeanne Shaheen i ka përcjellë presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, mbështetjen e saj, duke e përshkruar atë si një faktor stabiliteti për vendin.
Në letrën drejtuar presidentes, Shaheen ka rikonfirmuar angazhimin e saj për forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për perspektivën euroatlantike të vendit.
Të lidhura
None found
Si anëtare e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, senatorja e ka falënderuar Shiroka-Pulën për pritjen gjatë vizitës së saj në Kosovë dhe për nderimin që iu bë.
Shaheen ka shprehur shpresën se presidentja dhe Qeveria e re do ta udhëheqin Kosovën drejt një të ardhmeje më të begatë dhe më të sigurt.
“Si mbështetëse e vendosur e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës e popullit të saj, si dhe e perspektivës euroatlantike të Kosovës, do të vijoj të kontribuoj në mbështetje të vendit. Ka ende shumë për të bërë, por besoj se ju do të jeni një forcë stabilizuese për Kosovën”, thuhet në letrën e senatores Shaheen.
Në përmbyllje, ajo e ka falënderuar presidenten për partneritetin dhe mikpritjen, duke shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën edhe në të ardhmen.







