Vendosni fjalën kyçe....

Pas më shumë se tre vitesh në ngërç, BE kërkon rikthimin e dialogut Kosovë-Serbi, Sorensen takohet me Kurtin në Paris


Pas më shumë se tre vitesh bllokim të dialogut të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Europian po shqyrton hapat e mëtejshëm për rikthimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, është takuar në Paris me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në fokus të bisedës ishte ecuria e dialogut Beograd-Prishtinë dhe rruga që duhet ndjekur për të avancuar procesin e normalizimit.

Përmes një njoftimi në platformën X, zyra e Sorensenit bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te hapat e ardhshëm, tashmë që institucionet e Kosovës janë konstituuar.

“Me institucionet tashmë të konstituuara në Prishtinë, diskutuam për rrugën përpara në dialogun Beograd-Prishtinë dhe aspektet e ndryshme të procesit të normalizimit, të cilat kanë rëndësi për njerëzit në terren dhe për rajonin”, thuhet në njoftim.

Takimi u cilësua nga zyra e BE-së si një shkëmbim i mirë mendimesh, ndërsa u ritheksua rëndësia e vijimit të procesit të normalizimit.

Dialogu i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë është i bllokuar që prej shtatorit të vitit 2023. Takimi i fundit mes Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç u zhvillua më 14 shtator të atij viti në Bruksel, por përfundoi pa marrëveshje.

Dhjetë ditë më vonë, më 24 shtator, ndodhi sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, pas të cilit bisedimet politike mes dy vendeve mbetën në ngërç. Gjatë vitit 2024 pati përpjekje për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë, por pa rezultat. Diskutimet vijuan kryesisht në nivel kryenegociatorësh, duke trajtuar çështje si përdorimi i dinarit dhe ura e Ibrit.

Ngërçi vijoi edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026, i ndikuar gjithashtu nga zhvillimet politike dhe proceset zgjedhore në të dyja vendet. Një nga pengesat kryesore mbetet mospajtimi për kushtet e rikthimit në tryezën e bisedimeve.

Kosova kërkon dorëzimin e Milan Radoiçiçit, të cilin e lidh me sulmin në Banjskë, ndërsa Serbia këmbëngul në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bashkimi Europian u ka kërkuar vazhdimisht të dyja palëve të zbatojnë detyrimet e marra në kuadër të procesit të normalizimit, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023.