Mbi 4 milionë spanjollë kanë marrë pjesë në një grevë të përgjithshme në të gjithë vendin, duke protestuar kundër krizës së strehimit, rritjes së çmimeve të qirave dhe dëbimeve të qytetarëve nga banesat.

Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, mijëra qytetarë iu bashkuan protestave, të cilat u zhvilluan vetëm pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 29 nëntorit.

Kjo është greva e parë e përgjithshme në Spanjë pas 14 vitesh dhe mbështetet nga dy sindikatat më të mëdha të vendit, UGT dhe CCOO, si dhe nga organizata të tjera të punëtorëve dhe shoqata të qiramarrësve.

Protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për të frenuar rritjen e qirave dhe për të garantuar akses më të përballueshëm në banesa.

Sipas sindikatave, pjesëmarrja në grevë ka qenë veçanërisht e lartë në sektorët industrialë dhe në zonat bregdetare, ku kriza e strehimit është më e ndjeshme.

Sipas autoriteteve, deri në mesditë ishin regjistruar 476 incidente të lidhura me protestat dhe ishin arrestuar 40 persona. Incidentet përfshinë bllokimin e zonave industriale dhe djegien e kazanëve të mbeturinave.

Ndërkohë, sindikatat kanë paralajmëruar se do të ngrenë padi për atë që e cilësuan si reagim joproporcional të policisë gjatë një operacioni ku u përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Sipas tyre, 20 protestues mbetën të plagosur.

Planet për marshime masive gjatë pasdites u vështirësuan nga dy stuhi të forta, Charles dhe Bruna, ndërsa një demonstratë në qytetin bregdetar të Cadizit u pezullua.

Protestat zhvillohen në një moment të vështirë politik për kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, vetëm pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kriza e strehimit është kthyer në një nga çështjet kryesore të debatit politik në Spanjë, ndërsa qeveria përballet edhe me kritika për skandalet e korrupsionit që kanë përfshirë rrethin e saj të afërt dhe aksidentin tragjik hekurudhor të tetorit.

Partia Socialiste e Sanchez vijon të jetë prapa në sondazhe, ndërsa çështja e banesave pritet të luajë një rol të rëndësishëm në fushatën elektorale.

Sindikatat e kanë cilësuar grevën si një sukses, ndërsa Shoqata e Qiramarrësve vlerëson se numri i pjesëmarrësve mund të arrijë në 5 milionë deri në fund të ditës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb