Një gjest solidariteti ka ardhur nga Neymar për shokun e tij të skuadrës te Santos, Rony, i cili po kalon momente të vështira pas vrasjes së të atit në Brazil.

Babai i futbollistit, Marigerson Barbosa Carneiro, 72 vjeç, humbi jetën pasi u godit me thikë të hënën, më 9 nëntor, në Terra Alta, në shtetin Pará.

Pas marrjes së lajmit të rëndë, Neymar u tregua i gatshëm për ta ndihmuar bashkëlojtarin e tij, duke i vënë në dispozicion avionin privat. Në këtë mënyrë, Rony dhe familjarët e tij mundën të udhëtonin sa më shpejt drejt vendlindjes, për t’u bashkuar me të afërmit në këto çaste zie.

Futbollisti shprehu publikisht mirënjohjen ndaj Neymarit përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai falënderoi gjithashtu klubin Santos, trajnerin Cuca dhe të gjithë personat që i kanë ofruar mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë.

Ndërkohë, Santos ka shprehur ngushëllimet për humbjen e futbollistit dhe i ka dhënë atij leje të qëndrojë pranë familjes për aq kohë sa të jetë e nevojshme, pa caktuar një datë për rikthimin në stërvitje.

Autoritetet braziliane vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes, ndërsa deri më tani motivi i krimit mbetet i paqartë.