E mërkurë, 11 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Pasi i shkriu bashkitë, Rama “qeras” Maznikun me shumën e majme
Lajme

Pasi i shkriu bashkitë, Rama “qeras” Maznikun me shumën e majme

Reforma territoriale, e cila solli shkrirjen e 15 bashkive, po shoqërohet edhe me një faturë të re për buxhetin e shtetit. Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka kërkuar miratimin e një fondi prej 25 milionë lekësh për të mbuluar shpenzimet e fazës së ardhshme të punës.

Kërkesa mban firmën e deputetit socialist Arbjan Mazniku, në cilësinë e kryetarit të komisionit, dhe i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Dokumenti, i datës 5 nëntor 2026, parashikon ndarjen e shumës në tri kategori kryesore, ku pjesën më të madhe e zënë pagesat për ekspertët.

Konkretisht, 16.2 milionë lekë kërkohen për angazhimin e 30 ekspertëve, të organizuar në pesë grupe pune me nga gjashtë anëtarë. Ata do të trajtojnë çështje që lidhen me infrastrukturën, shërbimet sociale, funksionet ligjzbatuese, financat vendore, qeverisjen dhe rajonalizimin.

Një tjetër shumë e konsiderueshme, prej 6.8 milionë lekësh, është parashikuar për organizimin e të paktën tri aktiviteteve të mëdha jashtë ambienteve të Kuvendit. Sipas dokumentit, këto takime synojnë konsultimin me përfaqësues të qeverisë, ministritë, agjencitë kombëtare, bashkitë, universitetet dhe aktorë të tjerë të përfshirë në proces.

Ndërkohë, 2 milionë lekë të tjera janë planifikuar për udhëtime, media, komunikim dhe shpenzime mbështetëse.

Në shkresën drejtuar Peleshit, Mazniku argumenton se fondi është i nevojshëm për përmbushjen e mandatit të komisionit dhe mbarëvajtjen e punës së grupeve të ekspertëve.

“Për mbarëvajtjen e punës dhe përmbushjen me sukses të mandatit të Komisionit të Posaçëm, për secilin grup pune do të kryhen aktivitete dhe do të angazhohen ekspertë të fushave përkatëse. Për këtë qëllim, Komisioni i Posaçëm propozon një buxhet të posaçëm në shumën 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekë”, thuhet në dokument.

Kërkesa vjen pas vendimit të Kuvendit të 22 tetorit 2026 për vijimin e veprimtarisë së komisionit në fazën e dytë të punës. Pra, procesi që synon të riorganizojë hartën administrativo-territoriale të vendit kërkon tashmë edhe një fond të dedikuar për ekspertizën, konsultimet dhe aktivitetet e tij.

Shifrat ngrenë pikëpyetje për koston e procesit, veçanërisht në një kohë kur reforma territoriale mbetet një nga çështjet më të debatueshme politike dhe administrative në vend. Ndërsa qytetarët përballen me vështirësi ekonomike dhe pakënaqësi ndaj qeverisjes, komisioni kërkon miliona lekë për të vijuar punën.

Megjithatë, duhet theksuar se bëhet fjalë për një kërkesë buxhetore të paraqitur nga komisioni dhe jo për një pagesë të kryer. Miratimi i fondit prej 25 milionë lekësh mbetet hapi që duhet të përcaktojë nëse këto shpenzime do të financohen nga buxheti i Kuvendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.