Zvonko Veselinoviç, biznesmeni serb me ndikim në veri të Kosovës dhe i sanksionuar nga SHBA-ja e Britania e Madhe, raportohet se është larguar drejt Turqisë, ndërsa në Serbi po zhvillohen arrestime të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e mëparshëm dhe Partinë Progresive Serbe (SNS).
Sipas medias hulumtuese serbe KRIK, e cila citon burimet e saj, Veselinoviçi është nisur në orët e para të mëngjesit të 11 nëntorit nga Sarajeva drejt Stambollit, me një fluturim ku ka përdorur pasaportën serbe.
Largimi i tij vjen në një kohë kur autoritetet serbe po arrestojnë biznesmenë dhe zyrtarë që, sipas raportimeve, kanë pasur lidhje të ngushta me strukturat e pushtetit gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiçit.
Veselinoviçi njihet si një prej figurave me ndikim në veri të Kosovës, ndërsa KRIK ka dokumentuar ndër vite lidhjet e tij me njerëz të afërt me presidentin serb, përfshirë Andrej Vuçiçin, vëllain e tij.
Në vitin 2015, media hulumtuese publikoi fotografi të Veselinoviçit dhe Andrej Vuçiçit gjatë një takimi në një restorant në Kopaonik.
Emri i biznesmenit është shfaqur gjithashtu në komunikimet e platformës së enkriptuar “Sky”, të publikuara nga KRIK. Sipas analizës së këtyre mesazheve, ai përmendej në përpjekje për të ndikuar në emërimet e drejtuesve të policisë serbe dhe në ndarjen e kontratave shtetërore me vlerë miliona euro.
Sanksionet amerikane dhe britanike
Në dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Veselinoviçit dhe Milan Radoiçiçit, duke i lidhur masat me dyshime për korrupsion, ndikim mbi zyrtarët publikë dhe përfitime nga kontratat shtetërore përmes praktikave korruptive.
Një vit më vonë, në dhjetor 2022, edhe Britania e Madhe e vendosi Veselinoviçin nën sanksione për përfshirje të pretenduar në korrupsion serioz.
Dyshimet për krime dhe përmendja në vrasjen e Oliver Ivanoviçit
Emri i Veselinoviçit është përmendur edhe në dokumente të policisë dhe shërbimeve serbe të sigurisë, të publikuara nga KRIK, ku ai përshkruhet si figurë e rëndësishme e një grupi të dyshuar për trafik droge, armësh dhe nafte, fajde dhe pastrim parash.
Ai është përballur me procedura penale në Serbi, përfshirë akuza për vjedhje kamionësh dhe nxjerrje të paligjshme të rërës dhe zhavorrit.
Veselinoviçi është përmendur edhe në kontekstin e hetimeve për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, në janar të vitit 2018. Prokuroria e Kosovës e ka përmendur emrin e tij në lidhje me dyshimet për këtë ngjarje, ndërsa në aktakuzë është përfshirë edhe Milan Radoiçiçi.
Turqia mbetet një destinacion ku janë strehuar figura të krimit të organizuar nga Ballkani. Mes personave që janë lokalizuar në këtë vend në periudha të ndryshme përmendet edhe Jovan Vukotiçi, i lidhur me klanet kriminale malazeze.





Komente
Komento