“Agresioni rus ndaj Ukrainës tregon se historia po rikthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë në këtë shekull”, thotë për “Le Monde”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
E mesazhi, sipas medias franceze, është i qartë: “Kosova ndihet e cenueshme në një kohë kur situata gjeopolitike po tensionohet”, shkruan ky medium.
Megjithatë, thotë se 51-vjeçari Kurti nuk shfaq shenja shqetësimi.
Kurti po qëndron për tri ditë në Paris, ku do të marrë pjesë në Forumin e nëntë të Parisit për Paqe, por mbi të gjitha për të zhvilluar dy takime me presidentin francez, Emmanuel Macron. Fillimisht, një takim kokë më kokë në Pallatin Elize, e më pas, të mërkurën, një takim me delegacionet përkatëse të Francës dhe Kosovës.
“Le Monde” raporton se Qeveria e Kosovës po kërkon mbështetjen e Parisit për disa çështje, përfshirë organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në Prishtinë. Kosova, thotë gazeta, ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), për ndërtimin e fshatit ndërkombëtar të sportistëve.
Më tej, thuhet se Kurti synon ta shohë vendin e tij nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Gazeta franceze thotë se shkalla e autonomisë që Qeveria Kurti u ofron serbëve të Kosovës, të cilët përbëjnë rreth gjashtë për qind të popullsisë, mbetet një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjeve me Beogradin, por edhe, në një masë më të vogël, me Brukselin.
“Serbia vazhdon të jetë një fqinj armiqësor, që mund të llogarisë në mbështetjen e Rusisë. Krahas saj, Kosovën nuk e njohin edhe pesë shtete anëtare të BE-së: Spanja, Qiproja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Për arsye të ndryshme, por të gjitha të lidhura me zhvillimet e brendshme politike, këto vende kanë refuzuar ta njohin pavarësinë e shpallur nga Prishtina në vitin 2008”, shkruan “Le monde”.
Megjithatë, në këtë intervistë, Kurti thotë se Sllovakia është vendi që po paraqet rezistencën më të madhe. Kryeministri sllovak, Robert Fico, nuk e fsheh afërsinë ideologjike me presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe me ish-kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Madje, së fundmi, Fico u shfaq përkrah liderit nacionalist serb, Alleksandar Vuçiq, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të tetorit, të cilat përfunduan me fitoren e opozitës.
Për shkak të këtyre pengesave, Kosova ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas Kurtit, Kosova është i vetmi vend evropian, në mesin e atyre që janë përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit, që nuk e ka fituar këtë status.
Pas liberalizimit të vizave për zonën Shengen, të arritur tre vjet më parë, “Le Monde” thotë se Prishtina synon ta kalojë edhe këtë fazë të re, por pa kërkuar trajtim të privilegjuar.
“Ne nuk duam rrugë të shkurtra, procedura të përshpejtuara apo dyer të pasme drejt Bashkimit Evropian, por një proces të bazuar në meritë”, thekson Kurti. Për të, procesi i integrimit evropian është po aq i rëndësishëm sa vetë anëtarësimi. “Ne duhet t’i përfundojmë reformat në drejtësi, administratë publike dhe arsim. Këto janë tri prioritetet tona për katër vjetët e ardhshme”, thotë ai.
Kurti shfaq një optimizëm pragmatik. Ai e mirëpret humbjen e Vuçiqit, i cili, sipas tij, “u premtonte serbëve të Kosovës ndarjen” e vendit të tij.
Megjithatë, ai mbetet i kujdesshëm sa u përket mundësive për afrimin me “listën studentore” serbe, e cila doli fituese në zgjedhjet parlamentare të tetorit, por që në programin e saj vazhdon të kundërshtojë fuqishëm sovranitetin e Kosovës.
“Ne e dimë se kush ka humbur, por ende nuk e dimë se kush ka fituar”, ka thënë Kurti në këtë intervistë, duke shprehur qëndrimin e përgjithshëm të vëzhguesve të huaj për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.
Në aspektin ekonomik, Kurti, i cili pozicionohet si i majtë në spektrin politik në Kosovë, “Le Monde” thotë se po përpiqet të tërheqë investime të huaja në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.
Më 10 nëntor, grupi francez “Akuo Energy” fitoi një tender publik për ndërtimin e turbinave me erë, me kapacitet prej 98 megavatësh (MW).
Kosova, një vend malor dhe i pasur me burime ujore, po kërkon gjysmë miliard euro për të financuar ndërtimin e pesë digave, të cilat synojnë të përmbushin nevojat e industrisë, bujqësisë dhe ekonomive familjare.
Një tjetër prioritet i Prishtinës për t’i dhënë fund izolimit gjeografik është transporti hekurudhor. Kurti, sipas gazetës franceze, po kërkon financime për ndërtimin e tri linjave hekurudhore dhe modernizimin e një të katërtës.
Sipas tij, Kosovës i nevojitet mbështetja e Parisit për t’u integruar në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit (TEN-T).
I shqetësuar për situatën gjeopolitike, Kurti e sheh transportin hekurudhor jo vetëm si një mjet për zhvillimin ekonomik të Kosovës, e cila nuk ka dalje në det, por edhe si një çështje me rëndësi thelbësore për sigurinë.
“Shikojeni Ukrainën: atje udhëtohet me tren, jo me aeroplan. Prandaj, treni është mjeti më rezistent i transportit”, përfundon kryeministri i Kosovës.