E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

I akuzuar për korrupsion, arrestohet ish-ministri në Serbi

Rade Basta, ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, është arrestuar.

Urdhëri është dhënë nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, me dyshimin se, ndërsa ishte drejtor i Ndërmarrjes Publike për ngrohjen qëndrore në kryeqytetin serb, i ka shkaktuar dëme kompanisë me dhjetëra milionë dinarë.

Hetimi përqendrohet te periudha kur Basta ishte në krye të ndërmarrjes publike ku dyshohet se ka miratuar një sërë pagesash dhe donacionesh të pajustifikuara për organizata sportive.

Sipas raportimeve të mediave serbe, fondet publike dyshohet se janë shpërndarë për disa klube futbolli e basketbolli, si dhe për një klub kalërimi.

Reklamë

Në aksionin e zhvilluar në Beograd janë angazhuar edhe efektivë të Shërbimit për Luftën kundër Korrupsionit, të cilët po kryejnë kontrolle në disa ambiente.

Përveç Bastës, në kuadër të të njëjtit hetim janë shoqëruar edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me çështjen.

Rade Basta ka drejtuar Ministrinë e Ekonomisë së Serbisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga detyra.

Por largimi i tij nga qeveria nuk lidhej me hetimin aktual, por me qëndrimet e tij politike për luftën në Ukrainë.

Në atë kohë, Basta kërkoi që Serbia të vendoste sanksione ndaj Rusisë për agresionin kundër Ukrainës, një qëndrim që binte ndesh me politikën e ndjekur nga Beogradi zyrtar.

Pas përplasjes, ai krijoi lëvizjen politike “Rruga Evropiane”.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.