Pas më shumë se tre vitesh pa një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian po diskuton hapat e ardhshëm për rikthimin e dialogut. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, është takuar në Paris me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku në qendër të bisedimeve ishte vazhdimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Përmes një postimi në platformën X, zyra e Sorensenit bëri të ditur se palët diskutuan për rrugën që duhet ndjekur në dialog, tashmë që institucionet e Kosovës janë konstituuar.

“Me institucionet tashmë të konstituuara në Prishtinë, diskutuam për rrugën përpara në dialogun Beograd-Prishtinë dhe aspektet e ndryshme të procesit të normalizimit, të cilat kanë rëndësi për njerëzit në terren dhe për rajonin”, thuhet në njoftim.

Takimi u cilësua nga zyra e BE-së si një shkëmbim i mirë mendimesh, ndërsa u theksua rëndësia e vazhdimit të procesit të normalizimit.

Dialogu i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur i bllokuar që prej shtatorit të vitit 2023. Takimi i fundit mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç u zhvillua më 14 shtator të atij viti në Bruksel, por përfundoi pa marrëveshje.

Dhjetë ditë më vonë, më 24 shtator, ndodhi sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, pas të cilit bisedimet politike mes dy vendeve mbetën në ngërç. Gjatë vitit 2024 pati përpjekje për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë, por pa rezultat. Diskutimet vijuan kryesisht në nivel kryenegociatorësh, për çështje si përdorimi i dinarit dhe ura e Ibrit.

Situata nuk ndryshoi as gjatë viteve 2025 dhe 2026, kur procesi u ndikua edhe nga zhvillimet politike dhe zgjedhore në të dyja vendet. Një nga pengesat kryesore mbetet mospajtimi për kushtet e rikthimit në tryezën e bisedimeve. Kosova kërkon dorëzimin e Milan Radoiçiçit, të lidhur me sulmin në Banjskë, ndërsa Serbia këmbëngul në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian u ka kërkuar vazhdimisht të dyja palëve të përmbushin detyrimet e marra në kuadër të procesit të normalizimit, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023.