Bashkëshortja e Kanye West ekspozon format trupore me veshjen ekstravagante, shpenzon mijëra dollarë për…
Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka folur hapur për periudhën e vështirë të rikuperimit pas diagnostikimit me kancer, në një intervistë të rrallë të publikuar në numrin special të revistës “Country Life”, të redaktuar nga bashkëshorti i saj, Princi William.
Në një portret të realizuar nga fotografi Josh Shinner, 44-vjeçarja shfaqet pranë një peme, në një peizazh vjeshtor. Fotografia pasqyron edhe një nga pasionet e saj më të mëdha: natyrën dhe qëndrimin në ambiente të hapura.
Gjatë intervistës me shkrimtarin e njohur Robert Macfarlane, princesha foli për rolin që ka luajtur natyra gjatë rikuperimit të saj nga kanceri, pas diagnozës së marrë në vitin 2024. Duke ndarë një nga rrëfimet më personale për këtë periudhë, Kate tregoi se ishte paralajmëruar që rikuperimi nuk do të ishte një proces i njëtrajtshëm.
“Në spital më thanë se rikuperimi im nuk do të ishte linear. Do të ketë ditë të mira dhe ditë të këqija, dhe se gjithçka do të kërkojë kohë. E njëjta gjë ndodh edhe në natyrë”, u shpreh ajo.
E pyetur se ku e gjen burimin kryesor të shpresës, princesha tha se përgjigjen e gjen te “mësimet që na jep natyra”, të cilat i kujtojnë se “nuk jemi vetëm dhe se jemi të ndërlidhur me diçka më të madhe se vetja”.
Duke e përshkruar natyrën si një “mësuese të heshtur” gjatë periudhave të vështira të jetës, Kate theksoi rëndësinë e njerëzve të besuar dhe të vendeve ku mund të gjesh qetësi.
“Të kesh një ndjenjë lidhjeje, njerëz të besuar pranë vetes dhe vende ku ndihesh në paqe mund të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme në periudha të vështira”, deklaroi princesha.
Gjatë intervistës, Kate ndau gjithashtu disa mendime mbi mënyrën se si rrit fëmijët e saj, Princin George, Princin Louis dhe Princeshën Charlotte. Ajo tha se përpiqet t’u japë fëmijëve lirinë për të eksploruar botën, në vend që t’u tregojë vazhdimisht se çfarë duhet të shohin apo të mendojnë.
Princesha shprehu gjithashtu shqetësimin për rritjen e niveleve të ankthit te të rinjtë, në një botë ku teknologjia po ndryshon me shpejtësi dhe po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën e përditshme. Sipas saj, kontakti me natyrën u jep fëmijëve mundësinë të zhvillojnë krijimtarinë dhe imagjinatën, larg ekraneve.
Kate kujtoi edhe fëmijërinë e saj, kur kalonte kohë duke luajtur në përrenj, duke mbledhur manaferra apo duke qëndruar vetëm në botën e saj, duke shijuar gjërat e thjeshta të përditshmërisë. Ajo tha se këto përvoja i jepnin një ndjenjë lirie, “që është e vështirë të gjendet diku tjetër”.
Kujtojmë se në janar të vitit 2024, Princesha e Uellsit u shtrua në spital për një ndërhyrje të rëndësishme kirurgjikale në zonën e barkut. Dy muaj më vonë, përmes një videomesazhi personal, ajo njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer dhe se kishte nisur trajtimin parandalues.
Në shtator të po atij viti, Kate bëri të ditur se kishte përfunduar trajtimin, por paralajmëroi se rikuperimi dhe rikthimi në detyrat mbretërore do të kërkonin kohë dhe do të bëheshin gradualisht.
Në janar 2025, gjatë një vizite të papritur në spitalin Royal Marsden, ku kishte marrë edhe vetë trajtimin, ajo njoftoi se kanceri ishte në remision. Që prej asaj kohe, princesha ka folur në disa raste për vështirësitë e përjetuara gjatë kësaj periudhe.
Në vitin 2025, ajo u bë bashkëpatrone e Fondacionit NHS Royal Marsden, së bashku me Princin William. Në qershor, Kate përfundoi edhe sfidën fizike Three Peaks Challenge, me synimin për të mbledhur fonde për spitalin Royal Marsden. Sfida përfshin ngjitjen e tre majave më të larta të Britanisë së Madhe: Ben Nevis, Scafell Pike dhe Yr Wyddfa, brenda 24 orëve.
Në një mesazh personal të publikuar krahas fotografisë së saj në majën Ben Nevis, princesha shkroi:
“Çdo vit, qindra mijëra njerëz në këtë vend dëgjojnë fjalët që askush nuk dëshiron t’i dëgjojë”.
Përmes rrëfimit të saj të fundit, Kate ka ndarë një tjetër pjesë të përvojës personale me sëmundjen, duke vënë në qendër rëndësinë e kohës, mbështetjes së njerëzve të afërt dhe lidhjes me natyrën gjatë procesit të rikuperimit.
Top Channel